29 Prill 2024

AKP prezantoi ndryshimet e procesit te privatizimit

Prishtinë 8 shtator - Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, së bashku me drejtorin menaxhues të Agjencisë Shkëlzen Lluka në mesin e palëve të interesit dhe medieve prezantuan sot ndryshimet pozitive që po zënë vend në AKP.

Pjesë e prezantimit ishte një përmbledhje e procesit të përmirësuar të punës dhe trasnparencës së Agjencisë; elementet kyçe të ligjeve të posa-miratuara, atij për AKP-në si dhe për Dhomën e Posaqme të Gjykatës Supreme, dhe gjithashtu elementet e projektligjit për Riorganizimin e Ndërmarrjeve, i cili pritet të aprovohet së shpejti.

Kryetari i Bordit, Dino Asanaj tha para të pranishmëve se ka një kohë që agjencia ka filluar procesin e ndryshime pozitive në të gjitha aspektet e funksionimit të saj, duke filluar që nga ndryshimi i praktikave të punës, me ngritje maksimale të transparencës në raport me Kuvendin, investitorët, palët e interesit si dhe me publikun e gjerë.

“Kuvendi i Kosovës së fundi ka miratuar pakon e ligjeve për AKP-së, përfshirë këtu edhe aneksin për procesin e Likuidimit dhe Ligjin për Odën e Veçantë, ndërsa ka mbetur pa u aprovuar edhe Ligji për Trepçën, i cili poashtu ka kaluar në Komisionin Parlamentar përkatës dhe pritet që shumë shpejt të diskutohet edhe në Kuvend."

Aprovimi i këtyre ligjeve është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e ekonomisë së Kosovës, pasi që i mundëson AKP-së përshpejtimin e procesit të privatizimit dhe likuidimit, që rrjedhimisht do të ketë ndikimin në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kryetari i Bordit, Asanaj.

Në mënyrë që këto Ligje të gjejnë zbatim sa më efikas, Asanaj tha se AKP ka filluar një proces të riorganizimit të tërësishëm të agjencisë dhe të gjitha rregulloreve të brendshme për t’iu përshtatur funksionimit sa më efikas të agjencisë në përputhje me ligjet e reja.

Ndërkaq drejtori menaxhues i AKP-së, Shkëlzen Lluka, pasi foli për vështirësitë në fillimin e funksionimit të AKP-së në tetor të vitit 2008, për mungesën e dorëzim-pranimit të dokumenteve dhe informatave prej ish AKM-së, tha se AKP gjatë mandatit të vet është ballafaquar me ligje dhe rregullore të cilat kanë krijuar pengesa të panevojshme.

Lluka tha se AKP ka bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës dhe e njofton Kuvendin për punën e saj përmes raporteve të rregullta periodike.

“Deri më tani kemi dorëzuar në Kuvendin e Kosovës mbi 20 raporte, ndërsa agjencia paraprake nuk ia ka dorëzuar as edhe një raport Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Element me theks të veçantë në ligjin e ri për AKP-në paraqet shkurtimi drastik i afatit kohor për likuidimin e një ndërmarrje, prej 42 muaj tani do të shkurtohet në më së shumti 20 muaj.

Gjithashtu ligji i ri mundëson shpejtimin e lirimit të fondevë të tepërta, si dhe ristrukturimin e angazhimit të përfaqësuesve të Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Drejtori menaxhues tha se me ligjet e reja do të përshpejtohet procesi i shpërndarjes së 20 %, i likuidimit si dhe zgjidhja e kontesteve të ndryshme, me të cilat procese merret Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme, e cila ka juridiksion mbi Agjencinë dhe që do të ketë përbërje të reja të paneleve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu, duke vlerësuar punën e Bordit dhe menaxhmentit të AKP-së, për çka tha se e karakterizon partneriteti, dialogimi, transparenca dhe hulumtimi i mundësive për të evituar procedurat burokratike, theksoi se problemet e trashëguara nga e kaluara janë tejkaluar në masë të madhe me angazhimin e stafit të Agjencisë.

“Kam qenë njëri ndër zërat më kritik në të kaluarën, dhe jam këtu për t’ju shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin e tyre”, tha ai.

Gërgjaliu tha se ndryshimet pozitive në punën e AKP-së nga menaxhmenti aktual dhe ndryshimet e tashme ligjore do të ndikojnë që nga ky proces të përfitoj ekonomia e Kosovës.

Gjithashtu, në këtë takim Kryetari i Bordit të Drejtorëve, z. Dino Asanaj, së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike, Safet Gërgjaliu zbuluan edhe imazhin i ri të Agjencisë.

Logoja e re është një ikonë dinamike që paraqet një lëvizje pozitive me ngjyra të besueshmërisë dhe sigurisë, e që reflekton punën dhe zhvillimin e proceseve të punës së AKP-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)