Tadiq: Bisedoj me Thaçin, por për planin tim për Kosovën

Beograd, 4 shkurt - Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, nëse ai do të pajtohej për të diskutuar për planin e Beogradit për Kosovën.
Duke folur mbrëmë në Jahorinë, ku u takua me presidentët e Bosnjë Hercegovinës dhe Kroacisë, Tadiq tha se ai ishte i interesuar për pjesëmarrje në bisedime, që do të çonin te zgjidhja për Kosovën.
Aktualisht, ai ka lënë të kuptohet se e ka përgatitur planin për Kosovën, që veçanërisht propozon status special për Kosovën veriore, rajon i banuar me popullatë shumicë serbe, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në plan, poashtu, bëhet fjalë për statusin e manastireve të Kishës Ortodokse Serbe dhe pronën e banorëve serbë dhe të shtetit të Serbisë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës e ka hedhur poshtë këtë plan.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dje në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se është në interesin e dy vendeve tona, është që të ketë edhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërshtetëror në mes të lidershipit kosovar edhe atij të zgjedhur të Serbisë, por gjithmonë si dy shtete të pavarura sovrane.