28 Mars 2024

Shqipëria e gatshme për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën

Tiranë, 8 maj - Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, znj. Edita Tahiri me bashkëpunëtorë në vazhdim të vizitës së saj zyrtare në Republikën e Shqipërisë ka takuar në takime të ndara ministrat e linjës të Qeverisë së Shqipërisë, Lulzim Basha – Ministër i Brendshëm, Genc Pollo – Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit si dhe Sokol Olldashi - Ministër i Punëve Publike dhe Transportit.

 

Temë e bisedimeve ishin bashkëpunimi midis dy qeverive në fushat e angazhimeve të përbashkëta si dhe këmbimi i përvojave me qëllim të avancimit të proceseve zhvillimore në fushën e administratës publike.
Ministrja Edita Tahiri ka falënderuar homologët e saj për pritjen dhe ka biseduar me ta për projektet konkrete dhe fushat e bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të ndërtimit të një  administrate të qëndrueshme të standardeve ndërkombëtare. Znj, Tahiri, ka theksuar se në synimet tona për të ndërtuar shtete të suksesshme dhe të integruara në bashkësinë euro-atlantike, një prej kushteve të domosdoshme është që t’i bëjmë vendet tona me administratë publike të drejtuar kah interesat e qytetarëve. Vlerat e paanshmërisë, cilësisë dhe profesionalizmit, janë bazë për qeverisjen e mirë.


Dy vendet tona janë në proces të reformave të thella dhe partneriteti strategjik mes dy vendeve ka rëndësi të madhe për realizimin e suksesshëm të reformave demokratike që hap rrugë për zhvillimin ekonomik, punësimet, investimet e jashtme dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, ka thënë Ministrja Tahiri.  


Në takimin e veçantë me Ministrin e Brendshëm z. Lulzim Basha, ministri kjo që mbulon administratën publike në Shqipëri, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fusha konkrete ku ministrja Tahiri, theksoi në veçanti rëndësinë e fokusimit në arsimimin e kuadrove në administratën publike, fushë kjo që të dy vendet tona kanë nevojë ta avancojnë. Të dy ministrat u pajtuan për nevojën e krijimit të universitetit të administratës publike në funksion të këtij qëllimi. Në kontekst të angazhimeve rajonale, ministrja Tahiri, kërkoi mbështetje nga Qeveria e Shqipërisë, që Kosova, të përfshihet me të drejta të plota në Shkollën Rajonale për Administratë Publike (ReSPA) e mbështetur nga Bashkimi Evropian. Rajoni mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme vetëm kur të gjithë vendet janë të përfshira në procesin e integrimeve evropiane, për të cilin bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, tha ministrja Tahiri. 


Ministri Basha, shprehu gatishmërinë e plotë për thellimin e bashkëpunimit, si dhe për operacionalizimin e ideve që u shtruan gjatë bisedës. Në veçanti vlerësoi angazhimin për fuqizimin e aspektit edukativo-arsimor të shërbimit civil me synim për profesionalizimin e plotë të kësaj sfere të qeverisjes.
Në takimin tjetër me ministrin Genc Pollo, biseda u përqendrua në qeverisjen elektronike, si një mundësi e mirë për modernizimin e sistemit të qeverisjes në dy vendet tona.

 

Ministrja Tahiri, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe këmbimit të përvoja dhe u angazhua për një zhvillim komplementar duke marrë modelet pozitive në mënyrë të ndërsjellë. Ministri Pollo, vlerësoi zhvillimin e Kosovës dhe Shqipërisë në sferën e qeverisjes elektronike si dhe u zotua që ky bashkëpunim të fuqizohet edhe më tej me projekte konkrete. Në këtë takim znj. Tahiri, ka folur edhe për çështjen e domenit të internetit shtetëror të Kosovës, me c`rast ka kërkuar përkrahje nga Qeveria e Shqipërisë, për të siguruar këtë domen nga ITU-ja (Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit). Ajo ka theksuar se Kosovës i takon domeni i internetit dhe prefiksi shtetëror telefonik, duke marrë për bazë të drejtat e Kosovës për suksesion si dhe marrë parasysh që Kosova ka pasur brezin e saj frekuencor të përcaktuar nga ITU në të kaluarën. 


Ministri Pollo, garantoi angazhimin për këtë çështje, dhe vlerësoi argumentet e legjitimitetit të Kosovës për brezin shtetëror të frekuencave për Kosovën, që do të shërbejnë si argumentim në angazhimet me ITU-në.  


Në takimin me Ministrin Olldashi, u shtuan çështjet strategjike përfshire infrastrukturën rrugore, telekomunikuese, me ç`rast u vlerësua rëndësia e lidhjes së dy vendeve në të gjitha aspektet, duke eliminuar vakuumet që i krijoi historia e hidhur e së kaluarës. Të dy ministrat në mënyrë të veçantë vlerësuan të rëndësishme nismën e punimeve të autostradës Morinë - Merdare, me të cilat jo vetëm që lidhet kombi shqiptar por është mundësi për lidhjet e gjithë rajonit mes vete dhe në Evropë. Kjo i hap mundësinë një kaptine të rëndësishme për vendet tona e që është zhvillimi sa më i shpejtë ekonomik dhe bashkëpunimet e shumanshme.   


Znj. Tahiri në takimet e ndara me ministrat shqiptar ka folur edhe për procesin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive familjare dhe të Banesave, një proces të cilin Kosova pret ta realizojë në pranverën e vitit 2011 dhe i cili kërkon angazhim të shtuar që të përmbyllet suksesshëm.
Ministrat shqiptar në takimet e ndara, shprehen kënaqësinë që e takojnë ministren Edita Tahiri  dhe vlerësuan se forcimi i bashkëpunimit është shumë i rëndësishëm, në fazën e përmbushjes së detyrimeve për integrime, nëpër të cilën po kalojnë të dy vendet. Ata thanë se reforma në administratën publike është një proces shumë i rëndësishëm për vendet dhe qeverisja elektronike po ashtu, si një element parësor drejt modernizimit të administratës publike dhe ofrimit të shërbimeve me efikasitet të lartë. 


Gjatë këtyre takimeve, ministrja Edita Tahiri dhe homologët janë zotuar se do të kenë një angazhim maksimal për shkëmbimin e përvojave të mira dhe mbështetje reciproke në projektet që i kanë dhe planifikojnë t’i zbatojnë të dyja vendet.  Ky bashkëpunim do të funksionalizohet shumë shpejt, me nënshkrimin e Memorandumeve të Bashkëpunimit mes Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës me ministrive të linjës në Republikën e Shqipërisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)