SHBA: statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur

New York, 18 maj - Në takimin e mbrëmshëm në New York, vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, shqyrtuan raportin e fundit tremujor mbi Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Moon.
Varësisht nga qëndrimet e tyre mbi pavarësinë e Kosovës, u vlerësuan zhvillimet në nota pozitive ose jo edhe aq pozitive, ndërkohë që e mbështetën një dialog midis palëve.
Kosova nuk do të pranojë negociata të reja për status, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Nuk do të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës, pasi kjo çështje ka përfunduar, tha ministri Hyseni në seancën e Këshillit të Sigurimit.
Më tutje, ai theksoi se nuk do të ketë biseda për ndarjen e Kosovës". "Kjo nuk do të ndodhë kurrë, tha Hyseni dhe shtoi se çdoherë mund të ketë biseda dhe diskutime ndërmjet shteteve fqinje.
Këto qëndrime të ministrit Hyseni i mbështeti zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Brooke Anderson, duke thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se ndarja nuk është e pranueshme.
Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Ndarja është e papranueshme dhe statusi dhe kufijtë e Kosovës tashmë janë vendosur, tha prerazi ambasadorja amerikane, Brooke Anderson, duke ritheksuar angazhimin e SHBA për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në Evropë dhe institucionet evro-atlantike. Ngjashëm u deklarua edhe ambasadori Britanisë së Madhe, Sir Mark Lyall Grant,
I cili tha se Mbretëria e Bashkuar mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe integriteti territorial i saj është I patundur. Kosova tanimë e ka vërtetuar qëndrueshmërinë e vetë si një shtet i pavarur më një mbështetje të BE-së për perspektivë evropiane, tha ambasadori britanik duke paraqitur qëndrimet e qeverisë së re konservatore.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, theksoi se Qeveria e Serbisë kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, vendimi i ardhshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të krijojë një mundësi të paprecedent për kompromis ndërmjet serbëve e shqiptarëve.
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, në këtë mbledhje deklaroi se situata e përgjithshme në Kosovë është edhe më tutje stabile, por mbetet potencialisht e ndjeshme.
Mungesa e pajtimit ndërmjet bashkësive edhe më tutje është sfidë, e cila është përforcfuar me vështirësitë ekonomike, tha ai.
Sipas tij, me ndihmën e UNMIK-ut, Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të kenë kontakte lidhur me personat e pagjetur dhe çështjet fetare.
Zanier tha se UNMIK-u edhe më tutje luan rol neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mban kontakte me Serbinë dhe Kosovën.
Rusia dhe Kina, bashkë edhe Brazilin e Meksikën vazhdojnë ta konsiderojnë cështjen e Kosovës të pazgjidhur duke folur për negociata shtesë midis Prishtinës dhe Beogradit.
Edhe kësaj radhe mënyra si i adresoheshin ministrit të jashtëm Hyseni, me emër e mbiemër, apo me titullin minister përpara, rrjedhimisht paralajmëronte kahet fjalës së mëtejme të vendeve anëtare të Këshillit ë Sigurimit në debatin mbi raportin dhe zhvillimet në Kosovë mtbrëmë në New York