20 Mars 2023

Presidentja Osmani u prit në takim nga Presidenti italian, Sergio Mattarella

Romë, 23 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit sot në Pallatin Kuirinale me nderime ushtarake nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella.

Dy presidentët konfirmuan raportet miqësore në mes të dy vendeve dhe pohuan përkushtimin për thellim të bashkëpunimit në dobi të qytetarëve dhe me qëllim të tejkalimit të sfidave të sigurisë në rajon dhe përtej.

Në takim, Presidentja Osmani foli për zhvillimet në Kosovë dhe prioritetet në fushën e politikbërjes, me ç’rast theksoi se Kosova është një partner serioz dhe një vend i gatshëm për avancim të aleancave me partnerët strategjik.

Ajo vlerësoi mbështetjen e Italisë për Kosovën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, si dhe e falënderoi Italinë për mbështetjen e fuqishme në ruajtje të sigurisë dhe stabilitetit.

Presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast veçoi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, për të cilin kërkoi mbështetjen e Italisë.

Duke theksuar se Italia është në listën e top 10 vendeve partnere në fushën e tregtisë, Presidentja Osmani foli po ashtu për përparësitë e të bërit biznes në Kosovë.

Me këtë rast, ajo prezantoi edhe mundësitë e shumta për bashkëpunim në fusha të interesit të përbashkët si siguria, energjia, kultura dhe të drejtat e njeriut.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Mattarella folën edhe për zhvillimet në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, me ç’rast u dakorduan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit të aleancave në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë.

Dy presidentët folën edhe për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka qenë dhe mbetet përherë një vend paqedashës dhe, si e tillë, do të jetë gjithmonë në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe vlerave demokratike. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Dialogun Kosovë – Serbi.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një palë e përkushtuar dhe konstruktive dhe se po angazhohet për një proces të përqendruar në njohje reciproke e që si përfundim garanton mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.

Duke vlerësuar lartë mikpritjen dhe dashamirësinë e Presidentit Mattarella, Presidentja Osmani e ftoi atë për një vizitë zyrtare në Prishtinë, gjë që do të rezultonte në vizitën e parë të një presidenti italian në Republikën e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 mars 2023 - Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon konferencën “Konventa e Stambollit: Forcimi i zbatimit në përfundimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Shoqata e Bankave të Kosovës organzon shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë. (Shkolla "Elena Gjika" në Prishtinë, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e parë për prezantimin e monitorimit të Strategjisë së Ujërave për Kosovën 2017-2036 dhe prezantimin e propozimit të Politikave për Menaxhimin e Territorit Rreth Resurseve Ujore në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse do të mbajë konferenca për media në nismë të grumbullimit për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit dhe Andorrës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

- Shoqata 'Flaka e Llapit' mbajnë konferencë akademi përkujtimore me rastin e trevjetorit të ndarjes nga jeta të Rifat Blakut. (Salla e teatrit 'Avdush Hasnai' në Podujevë, ora 13:30)

- Kombëtarja e Kosovës fillon edhe përgatitjet për këto dy ndeshje. (Kampi Nacional në Hajvali, ora 16:00)

- Në kuadërt të edicionit XXIII i Javës së Frankofonisë në Kosovë organzohet aktiviteti 'Street Art, Balkan Trafic', krijim nga dy artistë franko-belgë. (Rr. Sylejman Vokshi, 66 në Prishtinë, ora 16:30)