28 Prill 2024

Presidentja Osmani realizoi takime në Kongresin amerikan

Washington, 10 maj - Në prag të vizitës në Universitetin e Harvardit në Boston, me ç’rast Presidentja Osmani është ftuar të jetë folëse kryesore në konferencën ndërkombëtare ‘Global Empowerment Meeting’, ajo ka realizuar një sërë takimesh në Kongresin amerikan.

Gjatë qëndrimit njëditor në Washington D.C. Presidentja Osmani është takuar me  senatorin Chuck Schumer, senatorin Christopher Murphy, senatorin Ben Cardin, senatorin Marco Rubio,  senatorin Steve Daines, kongresistin Steve Scalise, kongresisten Veronica Escobar, kongresistin Gary Palmer, si dhe në vijim do të takojë kongresisten Dina Titus.

Në të gjitha këto takime, Presidentja Osmani ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë.

Ajo ka potencuar vazhdimisht rëndësinë e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke theksuar se kjo do të kontribuonte drejtpërdrejt që të ketë gjithnjë e më shumë siguri dhe stabilitet në rajonin tonë dhe përtej.

Ajo ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kongresit për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit tonë, duke theksuar se tashmë është krijuar një momentum i ri për zhvillime të reja në këtë drejtim.

Në frymën e raporteve historike të shkëlqyera me SHBA-të, Presidentja Osmani i ka falënderuar miqtë e Kosovës në Kongresin amerikan, duke përcjellur edhe mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e tyre për vendin tonë ndër vite.

Në këtë drejtim, ajo ka theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit me aleatin kryesor të Kosovës edhe përmes Dialogut Strategjik, iniciativë kjo e dorëzuar nga Presidentja Osmani në fillim të vitit të kaluar.

Në takime është folur po ashtu për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, ndërkaq ka potencuar shkeljet e vazhdueshme të Serbisë në këtë proces, duke shprehur shqetësimin për mungesën e gatishmërisë për zbatim të marrëveshjes nga ana e tyre.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)