Presidenti Thaçi kërkon thellimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë

Vatikan, 28 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Vatikan është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. 
Në këtë takim, presidenti Thaçi ka informuar kardinalin Parolin për forcimin e shtetit të Kosovës brenda dhe në arenën ndërkombëtare.
Ai ka thënë se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe dhe stabilitet në rajon. 
Presidenti ka falënderuar sekretarin Parolin për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës, duke thënë se tani është koha për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë. 
“Mirënjohje për të arriturat e Kosovës do të ishte njohja nga tërë bashkësia ndërkombëtare. Njohja e Kosovës do të thotë njohje e aspiratës për liri e barazi, njohje e të drejtave dhe lirive të njeriut”, ka thënë Presidenti. 
Presidenti Thaçi ka njoftuar sekretarin Parolin edhe për përgatitjet që janë bërë për ligjin për liritë fetare që pret miratimin nga Parlamenti i ri i Kosovës. 
Ai po ashtu ka folur edhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke.
  
















