16 Prill 2024

Nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni që cenon sovranitetin

Prishtinë, 28 mars - Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takoi sot Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari Glauk Konjufca ritheksoi qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe Ndihmës Sekretari amerikan theksuan rëndësinë e vazhdimit të punës për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditës së sotme, kryetari Glauk Konjufca pritet të takohet edhe me kongresistin Ritchie Torres dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. ​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)