29 Prill 2024

Ministrja Gërvalla kërkoi që Ivica Daçiç të sillet para drejtësisë për krimet lufte

New York, 27 prill - Thirrjet për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi dhe akuzat e ndërsjella të përfaqësuesve të të dyja palëve për mospërmbushje të detyrimeve ndërkombëtare, përshkuan debatin e së enjtes në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se Serbia po përpiqet të bllokojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Është e qartë që Serbia nuk do marrëveshje në bisedime. Përkundrazi dëshiron ta pengojë çfarëdo marrëveshje sepse Serbia e vitit 2023 nuk dëshiron më të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës, duke nënvizuar se shteti serb po e shton varësinë nga Rusia.

Ministrja Gërvalla, tha se "Serbia është kërcënimi më i madh për paqen në Ballkan", ndërsa përmendi krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

“Presidenti Aleksandar Vuçiç ishte ministër i propagandës i presidentit Slobodan Millsheviç dhe ai ende po vepron si ministër i propagandës dhe jo si president. Dora e djathtë e ‘kasapit’ të Ballkanit që ishte përgjegjës për luftërat e Ballkanit, është personi që sapo foli para nesh”, tha ajo duke theksuar se ministri Daçiç, “është përgjegjës për vrasje masive, përdhunime dhe krime lufte”.

 Gërvalla, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkoi që kryediplomati serb, Ivica Daçiç të sillet para drejtësisë ndërkombëtare.

Ministrja Gërvalla e akuzoi Daçiqin për krime lufte, vrasje masive dhe përdhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ivica Daçiç tani ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë është përgjegjës për vrasje masive, dhunim si armë e luftës dhe krime lufte."

"Ai duhet të sillet para drejtësisë, para një tribunali për krime lufte. Nga viti 1992 deri në vitin 2000 ishte dora e djathtë e kasapit të Ballkanit, Millosheviç”, tha ajo.

Kryediplomatja kosovare, në fjalinë e parë porsa mori fjalën u ankua që nuk u lejua të flasë në gjuhën shqipe në seancën e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku po diskutohet raporti për Kosovën.

“Zotëri Daçiç foli me gjuhën e popullit të vet dhe jo në gjuhën angleze siç bëjnë shumica. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, por kjo më është mohuar kjo e drejtë”, shtoi Gërvalla.

Përkitazi me këtë ajo tha se raporti i UNMIKU-ut për Kosovën ka gabime të mëdha.

“Sa i përket raportit të UNIMIK më shumë se 90 nga 100 pika ka gabime të vogla, të mesme dhe të mëdha. Ka gjëra që mungojnë në raport, boshllëqet dhe problemet nga UNMIKU në Kosovë tani janë gjëra të njohura."

"Ne jemi duke bërë përkushtim dhe punë të jashtëzakonshme për paqe dhe stabilitet, por UNMIKU nuk po i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Prandaj kjo më shpie mua tek çështja e zhvillimeve të rëndësishme për paqe dhe stabilitet. Në raportin e UNIMIK-ut psh, Procesi i Berlinit përmendet vetëm si fusnotë, as samiti i mbajtur në Berlin dhe as ai Tiranë nuk përmenden në raport”, shtoi Gërvalla.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Gërvalla u shpreh se kur Kosova nënshkruan diçka e mban fjalën, ndryshe nga Serbia që marrëveshjen i bën vetëm si farsë.

“Është fakt i njohur ndërkombëtar nga të gjithë miqtë dhe jo miqtë se kur Kosova premton diçka e mban fjalën. Nuk jemi zmbrapsur asnjëherë nga asnjë marrëveshje e nënshkruar, por kjo nuk vlen për Vuçiqin, Daçiçin dhe kolegët e tyre."

"ADN-ja politike e tyre e bënë të pamundshme që ta mbajnë fjalën. Nëse premtimet dhe nënshkrimet nuk mbahen, atëherë marrëveshjet bëhen diçka një farsë dhe kjo tregon mos respekt për tërë komunitetin diplomatik. Qëllimi është që të bllokohet integrimi i Ballkanit në Evropë dhe prapa këtyre pretendimeve janë rusët që punojnë përmes partnerëve të tyre si Serbia. Është me rëndësi që të ndërmerren masa ndëshkuese dhe jo negocime me ta. Shumë zëra po shtojnë për sanksionimi ndaj Serbisë, pasi nuk negociohet me mashtrues, pasi mashtruesit duhet të përballen me pasoja”, tha ajo.

Në anën tjetër, Gërvalla tha se Rusia si aleati më i afërt i Serbisë është kërcënim për Kosovën dhe rajonin.

“Rusia si aleati më i afërt i Serbisë është kërcënimi i regjionit. Vuçiçi, Daçiç dhe Sheshel jetojnë në supremacinë ruse. Serbia ka vendosur si program qeveritar një version 2.0 të Serbisë së madhe, një dokument patologjik, i ideologjisë hakmarrëse në vend që t’i kthej sytë nga e ardhmja….Është e qartë nga gjithë kjo se pa prezencës e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë do të mund të kishte luftë”, deklaroi Gërvalla.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)