29 Mars 2024

Ministri Hyseni kërkoi zëvendësimin e Rezolutës 1244

New York, 2 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, takoi sot në New York Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Ministri Hyseni dhe Sekretari i Përgjithshëm Ki-moon kanë folur për një gamë të gjerë çështjesh në lidhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, praninë e UNMIK-ut, zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, njohjet, bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në kontekstin e ri që është krijuar pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në këtë takim, Ministri Hyseni ka kërkuar zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Në këtë kontekst, Ministri ka thënë se, kërkesa për zëvendësim të Rezolutës 1244 nuk drejtohet kundër UNMIK-ut, i cili ka kryer një mision të mirë në Kosovë, porse kërkesa mbështetet në ndryshimin rrënjësor të rrethanave pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pas Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka thënë se, zëvendësimi i Rezolutës është një çështje që duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit, dhe i cili është kompetent për të vendosur për këtë. 

Po ashtu, Ministri Hyseni ka bërë të qartë qëllimin final të Republikës së Kosovës për t'u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sekretari Ki-moon, nga ana e tij, ka thënë që është i njohur me aspiratat për t'u bërë anëtar të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë ditës, Ministri Hyseni do të vazhdoj serinë e takimeve me përfaqësues të përhershëm nga vende që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe me përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, që kanë misione pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)