Landi i Bavarisë ofron përkrahje në fushën e sigurisë për Kosovën

Mynich, 4 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi në Mynich ministrin e Punëve të Brendshme të Landit të Bavarisë, zotin Joachim Herrmann.
Presidentja Jahjaga dhe zoti Herrmann biseduan për zhvillimet në Kosovë si dhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në fushën e sigurisë.
Presidentja Jahjaga, falënderoi zotin Herrmann për kontributin që ka dhënë Gjermania për lirinë, shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, për njohjen e pavarësisë, investimet e bëra si për dhe për praninë e ushtarëve gjermanë në kuadër të KFOR-it dhe të policisë, më herët në kuadër të UNMIK-ut dhe tani në kuadër të EULEX-it.
Presidentja Jahjaga dhe Herrmann diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit dhe për shkëmbimin e përvojave mes policisë së dy vendeve, në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Presidentja Jahjaga, tha se do të ishte e rëndësishme që Kosova të ishte pjesë mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë si Europol dhe Interpol.
Ministri i Punëve të Brendshme, Herrmann e falënderoi Presidenten Jahjaga për vizitën e saj dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim të dyanshëm.
Ai ofroi përkrahjen për shtetin e Kosovës, sidomos në shkëmbimin e përvojave dhe në aftësimin e strukturave të sigurisë në Kosovë për luftimin e krimit të organizuar dhe të kontrabandës.