20 Mars 2023

Kryeministri Kurti mirëpritet nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer

Vjenë, 12 janar - Në kryeqytetin e Austrisë, me ceremoni shtetërore të gardës ceremoniale, Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti u mirëprit nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer për një takim bilateral.

Falënderues për ftesën dhe mikpritjen në vizitën e tij të parë jashtë vendit për këtë vit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e Austrisë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë dhe rajonit, dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.

“Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Na ka ndihmuar në përpjekjet tona për çlirim dhe për të siguruar paqe, së bashkëu me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për shumë vite në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për dekada ka mbështetur Kosovën, sidomos në sistemin e edukimit”, tha Kryeministri Kurti.

Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale tashmë të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e rritjes dhe fuqizimit të mëtejmë të tyre në të gjitha fushat, me theks te bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimi tregtar.

Me këtë rast, Kryeministri Kurti e ftoi Kancelarin Nehammer që t’i bashkëngjitet njërit nga shumë delegacioneve ekonomike austriake që do të vizitojnë Kosovën gjatë këtij viti.

Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Nehammer për punën e deritanishme të Qeverisë në kuadër të agjendës së saj reformuese dhe të agjendës integruese.

Ai po ashtu e njoftoi Kancelarin për qasjen proaktive, konstruktive dhe kreative të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, duke nënvizuar se dialogu duhet të prodhojë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me njohje reciproke në qendër.

U diskutua edhe për agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, dhe për rrezikun e ndikimit malinj të Rusisë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet aktorëve të ndryshëm.

Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit njëditor në Austri  po ashtu do të marrë pjesë në diskutimin me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë",  të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri. Në këtë vizitë zyrtare, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harjulla Çeku.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 mars 2023 - Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon konferencën “Konventa e Stambollit: Forcimi i zbatimit në përfundimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Shoqata e Bankave të Kosovës organzon shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë. (Shkolla "Elena Gjika" në Prishtinë, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e parë për prezantimin e monitorimit të Strategjisë së Ujërave për Kosovën 2017-2036 dhe prezantimin e propozimit të Politikave për Menaxhimin e Territorit Rreth Resurseve Ujore në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse do të mbajë konferenca për media në nismë të grumbullimit për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit dhe Andorrës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

- Shoqata 'Flaka e Llapit' mbajnë konferencë akademi përkujtimore me rastin e trevjetorit të ndarjes nga jeta të Rifat Blakut. (Salla e teatrit 'Avdush Hasnai' në Podujevë, ora 13:30)

- Kombëtarja e Kosovës fillon edhe përgatitjet për këto dy ndeshje. (Kampi Nacional në Hajvali, ora 16:00)

- Në kuadërt të edicionit XXIII i Javës së Frankofonisë në Kosovë organzohet aktiviteti 'Street Art, Balkan Trafic', krijim nga dy artistë franko-belgë. (Rr. Sylejman Vokshi, 66 në Prishtinë, ora 16:30)