19 Prill 2024

Këshilli i Sigurimit diskuton sot për Kosovën

New York, 17 maj - Sot në New York mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit për Kosovën në të cilën do të diskutohet për zhvillimet që kanë karakterizuar Kosovën gjatë tre muajve të fundit, ndërsa pritet që edhe njëherë t’u bëhet thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të ulen në tryezën e bisedimeve për çështje teknike.

Në debatin e rregullt për Kosovës që mbahet çdo tre muaj, Prishtina dhe Beogradi do të përfaqësohen nga ministrat e jashtëm, Skënder Hyseni e Vuk Jeremiç.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përfshin periudhën dhjetor-mars, gjatë së cilës Zyra Civile Ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë hartuar një strategji me të cilën synohet shuarja e strukturave paralele serbe në veri dhe vendosja e autoritetit të Prishtinës atje.

Zoti Ban ka tërhequr vërejtjen për mundësinë e rritjes së tensioneve ndëretnike në veri të vendit, nëse strategjia nuk zbatohet në mënyrë transparente dhe në dialog me komunitetet.

Por në debatin e sotem në New York nuk përjashtohet mundësia e hapjes edhe të çështjeve tjera që kanë ndodhur kohëve të fundit, siç është largimi i antenave të operatorëve të jashtëligjshëm të telefonisë mobile serbe në Kosovë si dhe aksioni i EULEX-it kundër korrupsionit, që përfshiu bastisjen në Ministrinë e Transportit dhe në pronat e ministrit Limaj.

Zyrtarë të lartë qeveritarë kanë bërë të ditur se Hyseni do të jetë i gatshëm të japë përgjigje adekuate, nëse homologu i tij serb, Vuk Jeremiç, apo dikush tjetër do të iniciojë diskutime mbi ato që konsideerohen si 'tema të nxehta'- shkyçjen e operatorëve ilegalë serbë në Kosovës dhe bastisjen e policisë së EULEX-it në zyrat e Ministrisë së transportit.

"Ministri Hyseni do të jetë i përmbajtur. Nuk do të provokojë reagime negative, por do të shprehë qartë qëndrimin institucional të Kosovës për sundim të rendit dhe ligjit", citohet të ketë thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ndërkohë sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, në fjalën e tij Ministri Hyseni do të paraqesë zhvillimet dhe arritjet e Kosovës gjatë periudhës mes dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit do ta paraqesë përfaqësuesi i tij special në Kosovë, italiani Lamberto Zannier.

Në muajt e fundit bashkësia ndërkombëtare ka shpeshtuar thirrjet në drejtim të Kosovës dhe Serbisë për bisedime të reja për çështje teknike. Këto bisedime janë mbështetur edhe nga ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, i cili gjatë vizitës së tij në Prishtinë ka thënë se Shtetet e Bashkura janë të gatshme të lehtësojnë bisedimet teknike, nëse palët pajtohen për zhvillimin e tyre.

Edhe Prishtina është shprehur e gatshme për bisedimet të këtij karakteri ndërsa ka përjashtuar çdo mundësi bisedimesh për statusin final.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në selinë e OKB-së, Ministri Hyseni do të zhvillojë një varg takimesh me përfaqësues të përhershëm të vendeve të ndryshme në OKB, kryesisht të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme këto takime kanë për qëllim lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)