03 Maj 2024

Hoxhaj në Katar merr premtime të fuqishme për njohje të reja

Doha, 12 tetor - Gjatë vizitës zyrtare në Katar, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është pritur nga Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit, Khalid Bin Mohammad Al Attiyah.

Ministri Khalid Bin Mohammad Al Attiyah ka përgëzuar Ministrin Hoxhaj për njohjen e radhës që Kosova ka marrë nga Kuvajti.

Ai ka bërë të ditur se Emiri i Katarit ka kërkuar nga dy presidentë të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë. “Ne çdo ditë do të shtrijmë ndikimin tonë tek shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë. Me Ministrin Hoxhaj u morëm vesh që shumë shpejt të përpilojmë një plan të veprimit të përbashkët dhe besoj se shumë shpejt Kosovën do ta njohin edhe shtete tjera”, ka thënë Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit.

Khalid Bin Mohammad Al Attiyah theksoi po ashtu interesimin e përbashkët  për mundësitë e investimeve të Katarit në Kosovë. “Shumë shpejt do të fokusohemi në tri fusha të bashkëpunimit ekonomik dhe në këto fusha Katari do të bëjë investime të fuqishme”, tha ai.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka falënderuar Katarin për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Ai ka theksuar se Katari është duke ndihmuar fuqishëm Kosovën edhe te disa shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit tonë.

“Ne do të përpilojmë një agjendë të përbashkët. Do të ketë një koordinim shumë të mirë mes Kosovës dhe Katarit për të rritur numrin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Ju e dini se Katari ka ndikim të madh përtej vendeve arabe dhe myslimane”, tha Ministri Hoxhaj, pas takimit me Ministrin Khalid Bin Mohammad Al Attiyah.

Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës që miqësinë dhe bashkëpunim me shtetin e Katarit ta thellojë edhe më shumë përmes projekteve konkrete ekonomike. “Shumë shpejt mund të presim investime nga shteti i Katarit në projekte të ndryshme ekonomik, që pa dyshim do të rrisin zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, tha Ministri Enver Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)