29 Mars 2024

Feith: Qeveria e ardhshme duhet të jetë e pastër

Bruksel, 2 dhjetor - Shefi i ICO-së në Kosovë, Piter Feith, ka dërguar të enjten sinjale të qarta për partitë politike të Kosovës se qeveria e ardhshme duhet të jetë e pastër dhe e aftë të përballet me sfidat që e presin vendin.

Feith nga Brukseli dërgoi mesazhin për liderët e partive politike të Kosovës se qeveria e ardhshme duhet të jetë e pastër.

Ai iu tha eurodeputetëve që janë anëtarë të komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, se zgjedhjet e 12 dhjetorit janë test për demokracinë në Kosovës dhe se nga ato duhet të dalë një qeveri e cila do të pëmirësojë imazhin që ka Kosova aktualisht.

”Pres që qeveria e ardhshme të përbëhet nga koalicioni i së paku dy partive shqiptare dhe me gjasë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Nëse kjo ndodhë do të nënkuptonte një bazë të fuqishme për të përballur më sfidat e mëdha që ekzistojnë përpara.

Në mesazhin tim për liderët e partive politike e kam bërë të qartë se qeveria e ardhshme duhet të jetë qeveri e pastër. Sinqerisht siç e dimë Kosova dhe liderët e saj kanë problem me imazhin, reputacioni i Kosovës nuk është i mirë dhe kjo duhet të adresohet”, tha ai.

Njëra ndër sfidat fundamentale e qeverisë së ardhshme sipas Feith është zhvillimi socio-ekonomik prandaj ajo duhet të ketë kompetencë të pastër për të mundësuar këtë. Sipas tij, Kosova përballet me vafërinë dhe papunësinë më të madhe në rajon.

”Të gjitha këto duhet të ndryshojnë. Qeveria e ardhshme duhet të përmirësojë mjedisin biznesor dhe atë për investime. Kjo nënkupton një sistem fiskal të qëndrueshëm dhe më e rëndësishmja përmirësim në sundimin e ligjit”.

Sipas Feith një qeveri me mandat të ri do të ishte bazë e mirë edhe për progresin e Kosovës në raportet me Bashkimin Evropian.

Fokusi kryesor në këtë drejtim do të jetë lehtësimi që BE-ja do t’i bëjë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të cilin tha se nuk pritet angazhim i plotë i Prishtinës derisa të përfundojnë zgjedhjet më saktësisht në fillim të vitit të ardhshëm. Feith foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Ai tha se në Kosovë ekziston zhgënjimi se BE po përdor standarde të dyfishta sa i përket këtij procesi. Mirëpo sipas tij autoritetet kosovare e kanë kuptuar se liberalizimi nuk është një vendim që falet për shkak të sjelljes së mirë por ekzistojnë kushte teknike të cilat duhet të plotësohen. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)