03 Maj 2024

Emiratet e Bashkuara Arabe aktiv për njohjen e Kosovës

Abu Dabi, 10 tetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës së tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, është pritur nga Ministri i Punëve të Jashtme i këtij shteti, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka falënderuar Ministrin e Emirateve për mbështetjen që ky shtet i ka dhënë popullit të Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan ka thënë se shteti i tij edhe më tutje do të përkrah forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Ne do të ndikojmë, sidomos të vendet me Qeveri të reja që ta pranojnë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës. Ne do të shtrijmë ndikimin tonë edhe përtej shteteve arabe”, ka thënë Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Ai po ashtu ka theksuar se përtej marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, duhet të ketë një intensifikim të marrëdhënieve ekonomike.

“Ne do të kemi një bashkëpunim jo vetëm politik, por duhet të intensifikojmë marrëdhëniet edhe në fushën e ekonomisë. Ne do t‘i shikojmë mundësitë për të investuar në Kosovë. Në vitin tjetër unë jam ftuar nga Ministri Hoxhaj për një vizitë në Kosovë dhe kjo vizitë do të jetë mundësi e mirë për të sjell investime në Kosovë”, ka shtuar Ministri Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

Ndërsa, Ministri Hoxhaj ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është që të kemi një përkrahje të Emirateve të Bashkuara në procesin e njohjeve si dhe në thellimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Unë jam siguruar nga Ministri që Emiratet e Bashkuara Arabe do të shtrijnë ndikimin e tyre të fuqishëm në shumë vende arabe për të pranuar pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik , Ministri Hoxhaj ka thënë se investimet nga investitorët e Emirateve të Bashkuara Arabe janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik.

“U pajtuam të nënshkruajmë tri marrëveshje bilaterale në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Këto marrëveshje dhe investimet nga ky shtet do të forcojnë ekonominë e Kosovës, por edhe miqësinë tonë me EBA-në”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, gjatë qëndrimit në EBA ka zhvilluar edhe disa takime të tjera, në përpjekje për të rritur numrin e njohjeve për Republikën e Kosovës.

Nesër, e martë, Ministri Enver Hoxhaj do të vazhdojë vizitën zyrtare në Kuvajt, ku do të ketë takime të shumta me përfaqësues të këtij shteti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)