20 Prill 2024

Elon Musk ofron të blejë Twitterin

New York, 14 prill - Biznesmeni Elon Musk është ofruar të blejë kompaninë Twitter, duke thënë se gjigandi i mediave sociale “duhet të transformohet si një kompani private”.

“Kam investuar në Twitter pasi besoj në potencialin e tij për të qenë platforma e fjalës së lirë në mbarë globin dhe besoj se liria e fjalës është një domosdoshmëri sociale për një demokraci funksionale”, tha zoti Musk.

"Megjithatë, që kur kam bërë investimin tim, tani e kuptoj se kompania as nuk do të lulëzojë dhe as nuk do t'i shërbejë kësaj domosdoshmërie shoqërore në formën aktuale. Twitteri duhet të transformohet si një kompani private".

Themeluesi i Teslës dhe SpaceX është tashmë aksioneri më i madh i Twitterit, duke zotëruar më shumë se 9% të aksioneve të kompanisë. Një dokument zyrtar tregon se ai ofroi 54,20 dollarë për çdo aksion për të blerë pjesën tjetër të kompanisë, shifër që është 38 për qind më e lartë nga çmimi që kishin aksionet në datën 1 prill, para se zoti Musk të blinte 9 për qind të tyre.

Ky çmim do ta vlerësonte kompaninë në rreth 43 miliardë dollarë.

“Oferta ime është oferta ime më e mirë dhe përfundimtare dhe nëse nuk pranohet, do të më duhej të rishqyrtoja pozicionin tim si aksioner”, tha zoti Musk.

Twitteri e pranoi ofertën dhe do të analizojë nëse propozimi i zotit Musk është në interesin më të mirë të aksionerëve.

Pasi u zbulua se Elon Musk posedonte pjesën më të madhe të aksioneve të Twitter-it atij iu ofrua një vend në bordin e kompanisë, por kjo do ta kushtëzonte sasinë e aksioneve që zoti Musk mund të zotëronte.

Pasi fillimisht u duk se ai pranoi vendin në bord, zoti Musk më pas refuzoi atë.

Disa informacione për këtë raport erdhën nga Associated Press dhe Reuters.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)