29 Shkurt 2024

BE-ja apelon për pajtim mes Serbisë dhe Kosovës

Bruksel, 23 korrik -  Pas konfirmimit të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës prej GJND në Hagë, BE-ja i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës për fillimin e dialogut.

E ngarkuara për punë të jashtme e BE-së, Catherine Ashton, kumtoi se BE-ja do të angazhohet për pajtim mes Serbisë dhe Kosovës. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, deklaroi se tani ka ardhur koha e një politike të dialogut.

"Ky vendim do të thotë që pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial i saj më nuk mund të kontestohen. Deri tani kemi pasur një proces juridik, ndërsa tani e tutje e ka radhën politika dhe dialogu për përmirësimin  e gjendjes së njerëze dhe raporteve mes këtyre vendeve. Serbia dhe Kosova duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Evropë", theksoi Westerwelle.

GJND-ja ka bërë publik dje mendimin këshilldhënës, sipas së cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare apo Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kosova ka shpallur pavarësinë me 17 shkurt të vitit 2008, ndërsa pavarësinë e saj e kanë njohur deri tani 69 shtete.

Institucionet e Kosovës shpresojnë se pas kumtimit të mendimit të GJND-së do të përshpejtohet edhe procesi i njohjes së pavarësisë. Presidenti i Serbisë Boris Tadiq ka deklaruar se mendimi i Gjykatës ishte një grusht i rëndë për Serbinë, por Beogradi ka paralajmëruar se kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se përpjekjet e tij diplomatike do t'i vazhdojë në OKB.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)