29 Prill 2024

Barroso konfirmon perspektivën evropiane të Kosovës

Prishtinë, 20 maj - José Manuel Barroso, president i Komisionit Evropian vizitoi sot Kosovën ku u takua me autoritetet më të larta të Kosovës, presidenten e Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe anëtarët e kabinetit të tij.

“KE-ja do ta ndihmojë financiarisht Kosovën por vendi duhet të ndërmarrë reforma të thella dhe të përmbushë të gjtiha standartët e kërkuar nga BE-ja” theksoi Barroso.

Ai ka theksuar më tej se Kosova duhet të respektojë të gjitha marrëveshjet që ka nënshkruar me FMN ndërsa ka shtuar se qeveria kosovare duhet të angazhohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të saj.

“Është në interes të qytetarëve që të vazhdohet me refoma të thella pasi kjo do të jetë edhe një besim për prespektivën tuaj europiane” theksoi Barroso.

Ai ka theksuar më tej se e ardhmja e Kosovës është drejt Bashkimit Europian ndërsa shtoi se prespektiva europiane varet nga populli.

“Ne jemi këtu që të ndihmojmë por varet nga populli. Këto janë aksione që duhet të ndërmerren nga qeveria” shtoi më tej Barroso.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se është e përkushtuar të punojë me institucionet dhe shoqërinë në fushën e rendit dhe të ligjit, me qëllim të arritjes së rezultateve efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Presidentja konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën evropiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve  kontraktuale me BE-në.

Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të ndihmonte agjendën evropiane të Kosovës dhe reformat e brendshme.

Presidentja Jahjaga shtoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të ligjit zgjedhor do të vazhdojë. Ajo konfirmoi se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Duke nënvizuar përkushtimin e BE-së për procesin e decentralizimit, presidenti Barroso, bashkë me kryeministrin Thaçi dhe kryetarin e komunës Bojan Stojanović, vunë gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Graçanicës të financuar nga BE-ja. Ai po ashtu vizitoi edhe Manastirin e Graçanicës.

Në fund të vizitës së tij, presidenti Barroso theksoi: "Qëllimi i vizitës sime është që të konfirmojë mbështetjen tonë të fuqishme për perspektivën evropiane të Kosovës. Komisioni është i gatshëm që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt Evropës. Ne do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive për forcimin e marrëdhënieve tona tregtare me Kosovën.

"Por edhe Kosova mund të ndihmojë vetveten. Kosova duhet të vazhdojë reformat e saj, të punojë në forcimin e sundimit të ligjit, t’i jap shtysë zhvillimit shoqëror dhe ekonomik dhe të zhvillojë raporte të mira fqinjësore."

"Ajo mund ta bëjë këtë duke punuar ngushtë me EULEX-in, duke zbatuar politika të shëndosha dhe të qëndrueshme makroekonomike, duke treguar kujdes fiskal dhe duke qenë konstruktive, pragmatike dhe kreative në dialogun me Serbinë.  Kosova mund të mbështetet në Bashkimin Evropian dhe mund të mbështetet në Komisionin Evropian."

Kryeministri Thaçi premtoi bashkëpunim të mirë dhe të shkëlqyeshëm me të gjithë fqinjët dhe, gjithashtu besojmë edhe në dialogun, që do të rezultojë me sukses dhe konkret mes Kosovës dhe Serbisë, gjithmonë në përputhshmëri me standardet, vlerat dhe zgjidhjet evropiane.
 
“Ne nuk jemi vende të vetme që kemi pasur konflikt, por që kanë dialog dhe besojnë në të ardhme të përbashkët, e që do të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, janë edhe inkurajuese takimet e fundit në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një progres thelbësor” – u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
 
“Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të ketë bashkëpunim të ngushtë, sa i përket sundimit të ligjit dhe reformave të nevojshme , edhe me EULEX-in, një bashkëpunim ky, që do të rezultojë gjithashtu me sukses. Në anën tjetër, dëshiroj të theksoj se dialogu me Serbinë është në interesin e dy vendeve tona, popujve tanë. Kosova është duke punuar maksimalisht me të gjithë partnerët e saj, në mënyrë që të jetë një shembull i paqes, stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, si dhe perspektivës rajonale evropiane” – theksoi kryeministri Thaçi.

Barroso në ketë vizitë në Kosovë ishte i shoqëruar nga Štefan Füle, komisioner i BE-së për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Stefano Sannino, zëvendës komisioner për Zgjerim (DG ELARG), Miroslav Lajcak drejtor menaxhues i EEAS (Shërbimit të Jashtëm të BE-së)  për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kabinetit të tij.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)