06 Maj 2024

Ban Ki-Moon i kënaqur me dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë, 5 maj - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të shfrytëzojnë dialogun për të gjetur zgjidhje “për problemet në veri të Kosovës”. Shefi i OKB-së ka përgatitur raportin e rregullt për Kosovën drejtuar Këshillit të Sigurimit.

Raporti, u është shpërndarë të mërkurën shteteve anëtare të Këshillit ku është pasqyruar në mënyrë kronologjike zhvillimet në tre muajt e fundit, duke filluar nga çështja e zgjedhjes së presidentit, fillimit të dialogut me Serbinë dhe problemet në veri të Kosovës.

Situata në pjesën e Kosovës ku ende administron UNMIK-u, sipas sekretarit të OKB-së ka qenë e stabilizuar, por e provokuar nga ato që ai i ka quajtur veprime që nga komuniteti “perceptohen si të njëanshme”.

Veprim i tillë, sipas Ki-Moon janë përpjekjet e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, që të vendosë në veri një strukturë multietnike të policisë. Por UNMIK-un dhe sekretarin e OKB-së e ka shqetësuar edhe më shumë një veprim tjetër në veri, e ku ka marrë pjesë edhe KFOR-i.

Vizita e ish-presidentit Pacolli, siguria e të cilit u ofrua nga KFOR-i, duket të mos u ketë pëlqyer liderëve të serbëve lokalë, e as UNMIK-ut. “Liderët e komunitetit janë ankuar se duke bërë kështu, KFOR-i ka humbur paanshmërinë dhe aderimin e vet në Rezolutën 1244”, shkruan sekretari i OKB-së.

Sekretari i përgjithshëm bën thirrje pastaj në pjesën ku jep konkluzionet e tij, që të hiqet dorë nga veprimet e njëanshme.

Shefi i OKB-së është shprehur i kënaqur për nisjen e dialogut “të shumëpritur mes Prishtinës e Beogradit”. “Shpresoj që dialogu të krijojë forumin e duhur për të zgjidhur problemet në veri të Kosovës”, ka thënë ai. “Jam i inkurajuar nga vullneti pozitiv i treguar nga palët deri më tani”, ka shtuar Ban Ki Moon.

Ai po ashtu shpreh gatishmërinë e UNMIK-ut që të bashkëpunojë në çfarëdo hetimi që bëhet për akuzat e Dick Martyt.

Në fund, shefi i OKB-së i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të japë ndihmë konkrete financiare për Komisionin për Rindërtim dhe Zbatim, i cili udhëhiqet nga UNMIK-u dhe merret me trashëgiminë kulturore e fetare në Kosovë. Nëse nuk do të ketë këtë mbështetje, ky komision, sipas tij, do të duhet të ndalë punën e vet deri në fund të vitit 2011.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)