19 Prill 2024

Ballkani qetësohet, kur vendet janë integruar në BE

Prishtinë, 22 prill - Delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari Jakup Krasniqi, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Bullgarisë, u prit sot nga kryeministri bullgar, zoti Bojko Borisov. 

Në takimin e ngrohtë dhe shumë miqësor, bashkëbiseduesit rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe theksuan nevojën e thellimit të mëtejshëm të tyre në  të gjitha fushat.

 

Kryetari Krasniqi e njoftoi kryeministrin Borisov për të arriturat e Kosovës dhe për synimet e saj të ardhshme.

Ai konstatoi se tashmë kemi marrëveshje bashkëpunimi në fushë të energjetikës, të nënshkruar nga ministrja Pula dhe ministri Traikov dhe se po përgatiten marrëveshje të reja, si ajo për “Promovimin reciprok për mbrojtjen e investimeve”, Marrëveshja për “Transportin Ndërkombëtar të Mallrave dhe Pasagjerëve në Rrugë” etj., por duhet të identifikohen fusha të reja bashkëpunimi, si në ekonomi, tregti, dogana, sundim të ligjit, kulturë, art, sport, turizëm etj.

“Ne do të dëshironim të shohim në Kosovë grupe përfaqësuesish të bizneseve të Bullgarisë, të cilët do të njiheshin me kushtet shumë të favorshme të investimeve atje”, tha Krasniqi.

Duke qenë për Kosovën prioritet i lartë strategjik integrimet euroatlantike, kryetari Krasniqi i kërkoi udhëheqjes së Bullgarisë mike mbështetje të plotë drejt këtij qëllimi historik të saj. Presim gjithashtu, tha ai, të vazhdojë ndihma diplomatike e Bullgarisë për aderimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshi, Këshillin e Evropës, OSBE-në etj., për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare dhe për bashkëpunimin rajonal.

Kosova është e interesuar të jetë pjesë e projekteve dhe iniciativave të bashkëpunimit dhe integrimeve rajonale (SEECP-Procesi i bashkëpunimit në Evropën Jug Lindore, BSEC- Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi, CEI-Nisma e Evropës Qendrore etj.). 

Kryeministri Borisov i çmoi lart të arriturat e Kosovës në ndërtimin e shtetit dhe premtoi ndihmën e gjithanshme bullgare në proceset integruese të saj. Ballkani mund të qetësohet përfundimisht, tha ai, vetëm kur vendet e tij të jenë integruar në BE. Proceset e Kosovës, kryeministri bullgar i quajti të pakthyeshme dhe kërkoi që me vendosjen e rendit dhe të sigurisë, të mundësohet tërheqja më e madhe e investimeve, si kusht i zhvillimit.

“Ne na duhen investime dhe biznese të përbashkëta të të dy vendeve”, tha Borisov. Duke theksuar që Bullgaria është ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ai konstatoi historinë tonë të pasur e të përbashkët dhe nevojën e komunikimeve më të mira.

Në fund të takimit kryeministri Borisov e luti kryetarin Krasniqi, t’ia përcjell përshëndetjet e tij, kryeministrit Thaçi.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës pati një takim edhe me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Kuvendit Popullor të Bullgarisë. Në këtë takim përmbajtësor, kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, paraqiti idenë e Komisionit që udhëheq për organizimin e një takimi, në formë konference, i cili do të mbahet këtë vit në Prishtinë. Temë e këtij takimi do të jetë bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane. Ftesa për mbështetjen bullgare u mirëprit nga mikpritësit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)