17 Korrik 2024

Mbahet tryeza Sfidat në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike

Prishtinë, 7 nëntor -  Zyra për Komunikim me Publikun e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka organizuar sot tryeza e titulluar “Sfidat në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, katër vite pas hyrjes në fuqi”, që është mbajtur në Prishtinë.

Katër vite pas hyrjes në fuqi, Zyra për Komunikim me Publikun ka hartuar Tri Raporte gjithëpërfshirëse lidhur me të drejtën e qasjes në dokumente publike, andaj organizimi i tillë ishte një mundësi e mirë për të diskutuar lidhur me gjetjet e Raporteve, problemet dhe sfidat në implementimin e Ligjit, por edhe për të parë mundësinë e rishikimit të Legjislacionit të Lirisë së Informimit.


Drejtori i Zyrës për Komunikim me Publikun në ZKM, Arianit Bytyçi, ka theksuar se zhvillimi i këtyre punëtorive lidhur me sfidat e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike do të kontribuojë në mënyrë shumë substanciale në realizimin e kësaj të drejte themelore nga qytetarët.

“Nga diskutimet dhe nga konferenca rajonale mbi lirinë e informacionit, që e organizuam në shtator të këtij viti, doli përfundimi që Ligji për Qasje në dokumente publike duhet ridraftuar, në mënyrë që të forcohet roli mbikëqyrës për zbatimin e tij, përmes themelimit të Zyrës së Komisionerit të Lirisë së Informacionit” ka theksuar z.Bytyçi.

Nga ana tjetër, Philipp Anawitt nga OSCE ka theksuar se do të mbështesin edhe më tej Zyrën për Komunikim Publik në ZKM në përmirësimin e zbatimit të Ligjit në fjalë.

Janë rreh 160 institucione të cilat mbulohen me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike. Në Prezantimin lidhur me të gjeturat e Raporteve Gjithëpërfshirëse, zyrtarja e lartë për komunikim dhe trajtimin e kërkesave për Qasje në Dokumente Publike në Zyrën për Komunikim Publik të ZKM-së, Albulena Zylaj Zeqiri, ka përmendur Rekomandimet e nxjerra për përmirësimin e Lirisë së Informimit.

Ndër këto rekomandime, sfidë kryesore mbeten refuzimet e kërkesave për qasje në dokumente publike nga institucioneve publike, të cilat bëhen me heshtje administrative dhe jo me aktvendim me shkrim, siç e kërkon Ligji.

“Të gjitha institucionet që kanë pasur qoftë edhe një kërkesë pa përgjigje ta adresojnë këtë problem në nivelin më të lartë vendimmarrës të institucionit respektiv në mënyrë që të eliminohet një lëshim i tillë në të ardhmen” ka theksuar Sylaj Zeqiri.

Në prezantimin “Direktiva PSI në kontekstin e lëvizjes globale për ndarjen e informacionit”, Arianit Dobroshi nga OJQ “FLOSSK”, ka prezantuar Direktivën e Komisionit Evropian 2013/37/EU për ripërdorimin e informatave të sektorit publik.

Sipas tij, kjo Direktivë, e cila duhet të përfshihet në Ligjin e ri për qasje në dokumente publike, paraqet të drejtën e vërtetë për ripërdorim, duke përfshirë të gjithë përmbajtjen që mund të arrihet në bazë të ligjeve për qasje në dokumente publike.

“Kjo Direktivë fokusohet më shumë në aspektet ekonomike të ripërdorimit të informacionit sesa në qasjen e qytetarëve në informata. Aplikohet te tekstet e shkruara, bazat e të dhënave, skedarët audio dhe film; nuk aplikohet për sektorët edukativ, shkencor, të transmetimit dhe kulturor” ka theksuar z.Dobroshi.

Mbikëqyrësi Kryesor Shtetëror, Ruzhdi Jashari, ka theksuar se ndonëse Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale që ai e udhëheq nuk ka obligime në mbikëqyrjen e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, puna e tyre sërish lidhet me këtë Ligj, pasi mbikëqyrin mbrojtjen e të dhënave personale.

“Agjencia ka përgjegjësi mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave ligjore lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale në sektorin publik dhe atë privat, duke dhënë informata se çka përbënë një të dhënë personale, cilat janë parimet e përpunimit të tyre, informatat të cilat i jepen subjektit të të dhënave (qytetarit), sigurimi i përpunimit i të dhënave personale, obligimet për sigurimin e këtyre të dhënave personale, dhe të drejtat e subjekteve (qytetarëve) për mbrojtjen e të dhënave personale, mbrojtjen ligjore të subjekteve të të dhënave (qytetarëve) në rast se ato shkelen” ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, Jeton Oruçi, koordinator i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, ka theksuar se do duhet të bëhet Vlerësimi i Ndikimit të Ligjit për QDP, në mënyrë që të shihet nëse duhet të ndryshohet Ligji ose jo.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kërkuar nga institucionet publike që të jenë më proaktiv në publikimin e dokumenteve publike në uebsajtet e tyre, dhe po ashtu që të respektojnë afatet në dërgimin e përgjigjeve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)