Nxënës nga Suedia vizitojnë Kosovën
Prishtinë, 30 mars - Mëse 60 nxënës nga tri komuna të Suedisë që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën amtare shqipe dhe mësimdhënësit e tyre, në kuadër të një ekskursioni mësimor po qëndrojnë në Kosovë. Përpos vizitave nëpër shkollat e disa komunave, ata po vizitojnë edhe monumentet kulturo-historike dhe institucionet e Kosovës. E tërë kjo po bëhet me moton Njihe atdheun që ta duash më tepër.
Pas një udhëtimi përmes Danimarkës, Gjermanisë, Çekisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Serbisë, mbi 60 nxënës të mësimit plotësues në gjuhën amtare shqipe nga Kristianstadi, Ängelholmi dhe Kristiantadi i Suedisë, së bashku me mësimdhënësit e tyre shqiptarë e suedezë, kanë ardhur në Kosovë për t´i kaluar disa ditë të këndshme në mesin e bashkëmoshatarëve dhe bashkëkombësve të tyre. Ky ekskursion mësimor po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të shkollave suedeze dhe Ministrisë së Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë së Kosovës. Nikoqirë të nxënësve shqiptarë nga Suedia janë drejtoritë komunale të arsimit të Prishtinës, Mitrovicës, Skenderaj, Drenasit, Ferizajt dhe të Prizrenit. Mysafirëve nga Suedia, kudo që po shkojnë dhe këdo që po vizitojnë po u bëhet pritje ngrehtë nga nikoqirët, kurse ata vet po fitojnë njohuri të reja për atdheun dhe shkëmbejnë përvoja me bashkëmoshatarët e tyre.
Ekskursioni mësimor i këtyre nxënësve filloi me vizitën e Shkollës Fillore Faik Konica dhe të Gjimnazit Xhevdet Doda të kryeqytetit. Ata u shpërndan në paralelet e nxënësve të këtyre shkollave dhe bashkërisht ndoqën procesin edukativo arsimor. Pastaj vizituan Parlamentin e Kosovës, ndoqën një dramë në teatrin Dodona dhe vizituan përmendoret dhe sheshet kryesore të Prishtinës. Drejtoria komunale e arsimit e Prishtinës, në mbrëmje shtroi një darkë të përbashkët, të cilën pastaj nxënës mysafirë dhe ata nga shkollat nikoqire e shndërruan në një mbrëmje të këndshme shoqërore.
Gjatë javës, nxënësit nga Suedia do të vizitojnë edhe Muzeun e kryeqytetit, Bibliotekën Kombëtare, Radio Televizionin e Kosovës dhe objekte të tjera të kulturës e të traditës si dhe përmendoret e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Ata do të jenë mysafirë edhe në shkollat të shkollave fillore e të mesme të Mitrovicës, Prizrenit, Ferizajit, Drenasit e Skenderajt. Do të vizitojnë edhe Muzeun e Kristaleve të Trepçës si dhe Shtëpinë Muze të Jasharëve në Prekaz.
Egzon Bajrami e Valentina Demaj, nxënës nga Laholmi, Adelina Popova e Shkëlqim Kodra nga Ängelholmi si dhe Valentina Berisha e Valentina Neziri që ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Kristianstad, thonë se janë shumë të kënaqura me mikpritjen që po u bëhet kudo që po shkojnë dhe shkollat që po vizitojnë. Shkëlqimi, i cili sivjet është shpallur nxënësi më I mire në komunën e Ängelholmit, madje thekson se mezi pret që në një vizitë të tillë mësimore në Suedi ta bëjnë edhe nxënësit nga Prishtina.
Çdo ekskursion tek nxënësit lenë përshtypje të paharrueshme dhe ka karakter edukimi, shoqërimi dhe njohjeje me vende e me gjëra të reja. Por, për nxënësit mërgimtarë, vizitat e organizuara që i bëhen atdheut shtojnë dashurinë dhe forcojnë lidhjet me të parët. E tillë është edhe vizita e nxënësve nga Kristianstadi, Laholmi e Ängelholmi i Suedisë që po realizohet gjatë festës së pashkëve.