02 Maj 2024

Zejtaria po zhduket

Prishtinë, 20 gusht- Zejtaria në Kosovë është një lëmë, e cila dita-ditës ka filluar të zhduket. Njohësit dhe tregtarët e kësaj veprimtarie kanë apeluar tek institucionet e Kosovës të përkrahet zejtaria pasi, sipas tyre, kjo veprimtari, përpos që ndikon në nivelin e punësimit, ndikon edhe në prezantimin e imazhit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kryetari i Shoqatës Zejtare Afariste të Prizrenit, Afrim Tejeci, ka deklaruar për “Epokën e re” se Prizreni është qytet i artizanatit dhe i zejtarisë mirëpo, sipas tij, edhe ata pak zejtarë që kanë mbetur në këtë qytet janë duke bërë punën e tyre për hir të trashëgimisë familjare dhe për hir të dashurisë që kanë ndaj zanatit.

“Zhvillimi i teknologjisë dhe kalimi nga manifaktura në industri ka bërë që interesimi të zbehet, por në Prizren ka ende mjeshtër që me duart e tyre krijojnë ekzemplarë dekorimesh dhe suvenirësh”, ka thënë Tejeci.

Ai ka bërë me dije se Kuvendi Komunal i Prizrenit i ka liruar nga taksat ato veprimtari, të cilat merren me zejet e vjetra, në mënyrë që të mos humbasë tradita.
 
Tejeci ka shtuar se Komuna e Prizrenit i ka ndarë disa lokale për zejtarë në kompleksin “Evropa”, për t’i ndihmuar ata që prodhimet e tyre t’i ekspozojnë dhe t’i shesin më lehtë.

Tejeci ka theksuar se duke e ditur rëndësinë e zejtarisë, Shoqata Afariste e Prizrenit, që funksionon që nga viti 1946 dhe e cila është anëtare e Odës Zejtare të Gjermanisë, ka organizuar trajnime dhe seminare për vetëdijesimin e të rinjve për këtë veprimtari. Madje ai ka deklaruar se qëllimi kryesor i tyre është t’i vetëdijesojnë të rinjtë për rëndësinë e zejtarisë në komunën e Prizrenit.

“Kemi dëgjuar nga të parët tanë, që zejtaria sillte shumë dobi dhe e mbushte arkën e shtetit. Prandaj, ne vazhdojmë ta japim kontribut për ruajtjen e zanatit të zejtarisë”, është shprehur Tejeci.
 
Në anën tjetër Ali Haraqija, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve nga Komuna e Gjakovës, ka deklaruar se në këtë komunë veprimtaria e artizanaleve nuk është duke u zhvilluar fare pasi, sipas tij, Çarshia e Madhe është në fazën e ndërtimit.

“Zejtaria në komunën tonë nuk është duke u zhvilluar për arsye se ‘Çarshia e Madhe’ është në fazën e ndërtimit dhe në fazën e shtruarjes së pllakave. Kështu që, edhe ato zeje, të cilat kanë qenë duke u zhvilluar, kanë mbetur pa u zhvilluar”, ka thënë Haraqija për “Epokën e re”, duke bërë me dije se nga Komuna s’ekziston asnjë mbështetje për zhvillimin e zejtarisë.

“Nga Komuna nuk kemi pasur mbështetje. Komuna e ka lënë çështjen e zejeve mbrapa shpinës dhe nuk i intereson fare se a janë duke u zhvilluar apo nuk janë duke u zhvilluar zejet”, ka thënë Haraqija.
 
I kontaktuar për këtë çështje nga gazeta, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, ka apeluar te Qeveria të ndaj mjete të posaçme financiare në mënyrë që të mos zhduket artizanati i moçëm në trojet shqiptare, sidomos në Kosovë. Sipas tij, zejtaria përpos që ndikon në nivelin e punësimit, ka edhe domethënien kombëtare për ruajtjen e traditave, si dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Marrë nga aspekti i punësimit manual, zejtaria ka një rëndësi relativisht mesatare në aspektin e punësimit, mirëpo e ka dhe domethënien kombëtare të traditave për moszhdukjen e aftësive të formave të ndryshme të artizanaleve manuale”, është shprehur për “Epokën e re”, Tahiri.  

Ai ka deklaruar se duke marrë parasysh faktin e numrit të lartë të shkallës së papunësisë, zhvillimi i zejtarisë do të ndikonte pozitivisht në punësimin individual familjar, sidomos te gjeneratat e moçme që kanë aftësi, mjeshtëri profesionale për përpunimin e arit, argjendit, drurit, tekstilit dhe tepihëve etj.

“Nga zhvillimi i zejtarisë do të kishin qenë këto leverdi: gjenerata e moçme do ta barte dijen te gjenerata e re dhe nuk do të zhdukej ky lloj artizanati në Kosovë. Po ashtu, do të vazhdonte tradita kombëtare e zejtarisë, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e punësimit”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se nga kjo veprimtari është zgjuar interesimi për Kosovën dhe, sipas tij, kjo mund të ndikojë pozitivisht, sidomos në turizëm dhe te mërgata. “Interesimi nga mërgata, që në përgjithësi kanë nostalgji për gjërat nga Kosova dhe për produktet që janë të rralla, të pazhdukshme, qëndron në atë se ata marrin gjëra artizanale nga Kosova, në mënyrë që ta tregojnë veten e të lavdërohen me aftësitë e manifakturës kosovare”, ka thënë ai.

Zejtarët të pakënaqur me zhvillimin e zejtarisë

Vilson Tomrecaj, argjendar në Prishtinë, ka deklaruar për “Epokën e re” se interesimi për gjërat e filigranit është i vogël në krahasim me gjërat që prodhohen nga makina. “Interesimi për gjërat e filigranit është shumë i vogël në krahasim me ato që prodhohen me makinë, ndërsa për këtë veprimtari kemi punë më shumë me ndërkombëtarët”, ka thënë ai.

Po ashtu, Besfort Oruçi, argjendar në Prishtinë, është shprehur se interesimi për këtë veprimtari është shumë i vogël në krahasim me kohën e mëparshme.

 Edhe Ardita Prizreni, prodhuese e tekstilit, e cila ka përkrahur projektet e grave për promovimin e punës, ka theksuar se artizanalet janë në zhdukje.

“Artizanalët janë në rënie e sipër dhe interesimi çdo ditë e më shumë po bie. Si duket kanë filluar për ta humbur shprehinë për artizanale. Ndërsa të rinjtë janë shumë pak të interesuar të merren me zeje”, ka treguar ajo.
 
Edhe Bejtullah Hyseni, i cili merret me përpunimin e xhamit dhe kornizave të ndryshme, ka theksuar se ka rënë kërkesa për këtë veprimtari si pasojë e zhvillimit të firmave të mëdha, të cilat po e sjellin mallin nga jashtë, sidomos nga Kina.

“Kërkesa për korniza ka rënë. Artizanalet tona janë duke u shuar. Me ardhjen e mallit nga jashtë, sidomos nga kinezët që po sjellin çfarëdo malli për kornizat dhe pasqyrat, të cilat shiten këtu për 1.50 deri në 2 euro, ne nuk po kemi mundësi të punojmë, sepse as shpenzimet s’mund t’i mbulojmë me atë shumë”, ka thënë ai, duke shtuar se për rënien e kërkesës për korniza ka ndikuar edhe faktori kohë.

Sipas tij, në kohën e mëparshme vajzat për pajën e nusërisë i kanë përpunuar deri në 20 goblenë, kurse tani i punojnë dy, eventualisht tre. E tregtari i artizanaleve, Tafil Zymberi, ka vlerësuar se shitja e gjërave antike ka rënë.

Ai ka thënë se konsumatorët më shumë shprehin interesim të hyjnë në dyqan për të pyetur për çmimet sesa të blejnë.

( Epoka e re)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)