20 Maj 2024

Gjilani do të bëhet me autostradë

Prishtinë, 14 janar - Për autostradën e tretë të Kosovës, që do ta lidhë Prishtinën me Gjilanin, do të dihet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2016, pasi deri në atë kohë do të dihet se kah do të kalojë, por edhe do të dihet kostoja financiare e saj.  

Kjo autostradë është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, e cila tani udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Ministri i Infrastrukturës (MI), Lutfi Zharku, ka bërë me dije se fund të vitit 2015 do të dihet çdo gjë për sa i përket ndërtimit të autostradës së re, e cila do ta lidhë Gjilanin me Prishtinën.

Sipas tij, punët fillestare në këtë projekt madhor kanë filluar me kontraktimin e një kompanie, e cila është duke bërë projektin ideor dhe, e cila për një kohë jo të gjatë, do ta sjellë në institucionet e Kosovës projektin për autostradën e tretë të Kosovës, pas atyre me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Zharku në një prononcim për gazetën “Epoka e re” ka thënë se Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që rajoni i Gjilanit të lidhet sa më shpejt me Prishtinën, pasi investimi në këtë rajon do të mundësojë lidhje me kryeqendrën e Kosovës.

“Kompania, e cila është kontraktuar për projektin ideor për autostradën Prishtinë – Gjilan, do t’i sjellë tri propozime reale, përfshirë edhe variantin aktual për zgjerimin e rrugës së vjetër, e cila kalon nëpër Graçanicë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Infrastrukturës, po e shqyrton mundësinë që pasi një pjesë e kësaj traseje të vjetër, është duke u ndërtuar kah Graçanica, ta shikojë mundësinë që ta zgjerojë këtë rrugë.

“Pra, të gjitha variantet mbesin në tavolinë, por do të shikohet se cili është varianti më i mirë, duke i marrë për bazë edhe kostot buxhetore”, ka thënë ai.

Zharku ka shtuar se beson se punët në projektin ideor do të përfundojnë në gjysmën e parë të këtij viti.

“Sipas dinamikës së paraparë, punët në projektin ideor do të kryhen deri kah muaji i gjashtë. Pra, projekti ideor është ai i cili do ta na japë neve dritën jeshile, se si do të veprojmë më tutje, duke u koordinuar edhe me ministritë e tjera përkatëse”, ka deklaruar ai.

Zharku ka bërë me dije se në ndërtimin e autostradës së re për Gjilan, rol të rëndësishëm do të luajnë edhe komunat, nëpër të cilat do të kalojë autostrada e re, duke përfshirë edhe Komunën e Gjilanit, pasi deri atje do të ndërtohet autostrada.

Zharku nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo autostrada të kalojë edhe kah Lipjani por, sipas tij, qëllimi kryesor për ndërtimin e kësaj autostrade është që Gjilani të lidhet me Prishtinën.

“Të gjitha variantet do të jenë në tavolinë. Mund të supozojmë se do ta lidhim me autostradën, e cila është duke u ndërtuar kah Shkupi, apo nga Mati, nga Novobërda, apo ta bëjmë zgjerimin e rrugës së vjetër për ta bërë me katër korsi”, ka thënë ai.

/Epoka e re/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)