29 Mars 2024

Sot filluan trajnimet e Programit për Aftësi Digjitale për 180 të rinj në RIT Kosova

Prishtinë, 11 maj - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe RIT Kosovë, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, lansuan sot trajnimet e Programit për Aftësi Digjitale për të Gjithë (DS4PA).

180 gra dhe burra të rinj do të përfitojnë nga trajnimet mbi Aplikacionet Mobile, Zhvillimin e Ueb-it, Inxhinierinë e të Dhënave, Rrjetëzimin, Marketingun Digjital dhe Dizajnin Digjital. Të gjitha trajnimet do të zhvillohen në objektet e RIT Kosovë (A.U.K) për një periudhë prej 3.5 deri në 5 muaj.

Ngjarja e sotme mblodhi partnerët e projektit duke përfshirë Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ugo Ferrero, Zëvendës Shef i Misionit të Italisë në Kosovë, Kamal Shahrabi, President i RIT Kosova (A.U.K), trajnerë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së theksoi: “Ne jetojmë në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Përparimet në inteligjencën artificiale dhe automatizimi do të sjellin ndryshime të domethënëse në tregun e punës, duke rezultuar në humbjen e vendeve të punës dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Aftësitë digjitale nevojiten në mënyrë kritike në këtë peizazh të ri për t'iu përgjigjur nevojave dhe prioriteteve në zhvillim. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, akademisë, sektorit privat dhe shoqërisë civile është thelbësor për një transformim digjital gjithëpërfshirës, të gjithë shoqërisë. Jemi krenarë që nisim këtë iniciativë të përbashkët e cila do të ofrojë një mundësi për trajnime të aftësive digjitale për 180 gra dhe burra të rinj në Kosovë.”

“Ne mbështesim çdo program, projekt apo iniciativë në mbështetje të ngritjes së kapaciteteve të institucioneve tona në ofrimin e mundësive të ardhshme për të rinjtë në tregun e qëndrueshëm të punës, duke rritur mundësitë për krijimin e vendeve të punës. E rëndësishme është që kjo nismë do të mbështesë të rinjtë dhe të rejat në zhvillimn e aftësive digjitale të përshtatshme për treg falë trajnimeve intensive”, tha Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Italia me krenari po e mbështet këtë program si pjesë e fokusit të ri të qeverisë sonë drejt Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimit ekonomik të rajonit. Përmes trajnimeve të Programit të Aftësive Digjitale për të Gjithë (DSP4A), ne mbështetemi në dhënien e një kontributi të vogël për dialog ndëretnik shumë të nevojshëm dhe promovimin e mundësive të punës për brezat e rinj të Kosovës”, tha me këtë rast Ugo Ferrero, Zëvendës Shef i Misionit të Italisë në Kosovë.

“Njohuritë e Aftësive Digjitale do të rrisin punësueshmërinë e individit, do të hapin një gamë të gjerë mundësish ekonomike me rritjen e tregtisë elektronike dhe sipërmarrjes digjitale, do të lehtësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin efektiv dhe do të nxisin inovacionin dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Ne besojmë se qasja në edukimin teknologjik është një e drejtë themelore dhe iniciativa DS4PA është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit që secili/a të ketë aftësitë që u nevojiten për të përparuar në botën e sotme digjitale”, theksoi Kamal Shahrabi, President i Kolegjit RIT Kosova (A.U.K).

Rreth Programit për Aftësitë Digjitale për të Gjithë (DSP4A)

Projekti bazohet në potencialin e ekonomisë digjitale për të ofruar mundësi punësimi dhe për të kontribuar në rritjen ekonomike për përmirësimin e jetesës për të rinjtë. Në veçanti, ndërhyrja ofron mundësi për zhvillimin e aftësive si një mundësi kyçe për të rritur punësueshmërinë si për zhvillim të qëndrueshëm ashtu edhe për kohezion social, duke synuar grupe specifike të popullsisë. Projekti synon të kapërcejë hendekun midis grupit të synuar të popullsisë dhe nevojave të tregut të ekonomisë digjitale për sa i përket aftësive, si një mjet për krijimin e punësimit dhe rritjes ekonomike, duke rritur njëkohësisht dialogun dhe mirëkuptimin ndëretnik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)