20 Mars 2023

Kurti: Transformimi digjital është në fokus të qeverisjes sonë

Prishtinë, 26 janar - “Transformimi digjital në të cilin jemi duke punuar, do të sjellë benefite të shumta si për shtetin poashtu edhe për shoqërinë e digjitalizimi i administratës publike në veçanti mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset tona, andaj është edhe në fokus të qeverisjes sonë."

"Përmes digjitalizimit në arsim ne synojmë arsim më cilësor në të gjitha nivelet, ndërsa sistemi i informacionit shëndetësor do të krijojë mundësi për shëndetësi më efikase. Me digjitalizim të gjithmbarshëm presim rritje të kursimeve, të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në ekonomi”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike “Cyber zero”.

Me këtë rast, kryeministri njoftoi se Qeveria është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi shumëdimensionalë dhe shtoi se në tetor të vitit të kaluar, është miratuar në qeveri Ligji për sigurinë kibernetike si dhe është aprovuar në lexim të parë në Kuvend. Përmes këtij ligji do të themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike, që do të jetë institucioni kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës.

Ndërkohë, është finalizuar drafti i strategjisë së re për sigurinë kibernetike, që pritet të vendoset në konsultime publike në fund të këtij muaji, për çka kryeministri Kurti i inkurajoi të gjithë që të marrin pjesë.

Strategjia rithekson domosdoshmërinë e forcimit të mekanizmave institucionalë dhe rritjes së kapaciteteve të qëndrueshme njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike në nivel të shtetit. Në veçanti, parashihet rritja e kapaciteteve për trajtimin e incidenteve kibernetike në luftimin e krimit kibernetik.

Më tej, kryeministri Kurti tha se mbrojtjen efektive të vendit në fushën e sigurisë kibernetike do të mund ta bëjmë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të dendur ndërmjet sektorit publik e privat, akademisë e komunitetit të gjerë të sigurisë kibernetike në vend, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet mike, e gjithsesi edhe konferenca “Cyber Zero” i kontribuon një bashkëpunimi të tillë.

Në fund, duke vënë theksin te rëndësia e sigurisë kibernetike, ai shtoi se Republika e Kosovës do ta shtojë investimin e saj në mbrojtje dhe siguri, por se as mbrojtja e as siguria nuk janë të mbrojtura e të sigurta, përderisa nuk ka siguri kibernetike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 mars 2023 - Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon konferencën “Konventa e Stambollit: Forcimi i zbatimit në përfundimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Shoqata e Bankave të Kosovës organzon shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë. (Shkolla "Elena Gjika" në Prishtinë, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e parë për prezantimin e monitorimit të Strategjisë së Ujërave për Kosovën 2017-2036 dhe prezantimin e propozimit të Politikave për Menaxhimin e Territorit Rreth Resurseve Ujore në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse do të mbajë konferenca për media në nismë të grumbullimit për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit dhe Andorrës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

- Shoqata 'Flaka e Llapit' mbajnë konferencë akademi përkujtimore me rastin e trevjetorit të ndarjes nga jeta të Rifat Blakut. (Salla e teatrit 'Avdush Hasnai' në Podujevë, ora 13:30)

- Kombëtarja e Kosovës fillon edhe përgatitjet për këto dy ndeshje. (Kampi Nacional në Hajvali, ora 16:00)

- Në kuadërt të edicionit XXIII i Javës së Frankofonisë në Kosovë organzohet aktiviteti 'Street Art, Balkan Trafic', krijim nga dy artistë franko-belgë. (Rr. Sylejman Vokshi, 66 në Prishtinë, ora 16:30)