29 Maj 2023

Shpallen kampionët e FISU Kupës Botërore Universitare ne Hendboll 2022

Prishtinë, 18 korrik - Pas një jave adrenalinë, brohoritje, humbje dhe fitore, FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll u kurorëzua me ekipet fituese.

Kjo kupë u organizua nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUNK), nën ombrellën e Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU),

Të dielën, në një atmosferë brilante, u shpallën kampionë të kësaj ngjarjeje botërore ekipi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kategorinë e meshkujve dhe ekipi i Universitetit Kombëtar Korean të Sporteve (KNSU), në kategorinë e femrave.

Medaljet e argjendta i takuan ekipit të Universitetit të Castillas – La Mancha, të Spanjës (UCLM), në kategorinë e meshkujve dhe ekipit të Universitetit Kombëtar Kangwon të Koreas, në kategorinë e femrave,

Vendet e treta në këtë kompeticion i fituan ekipi i Universitetit Prishtinës (F), të cilët mposhtën ekipin e Universitetit Palacký në Olomuc dhe ekipit të UCLM-së nga Spanja (M), të cilët fituan kundër Universitetit të Malit të Zi.  

Organizimin e suksesshëm të kësaj Kupe e përshëndeti z. Musa Selimi, drejtor ekzekutiv i FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll. “Ëndrra jonë për këtë kupë ka nisur para dy vitesh. Ëndrra u bë realitet dhe gjatë këtyre shtatë ditëve patëm rastin, jo vetëm të jemi nikoqir të kësaj kupe, por të ia shfaqim botës kulturën, traditën dhe vlerat e popullit tonë” theksoi Selimi. Ai falënderoi partnerët, lojtarët, ekipin organizativ dhe vullnetarët që e bënë të mundur këtë ngjarje.

I lumtur për arritje u shpreh edhe u.d. presidenti i Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës, z. Gani Ibrahimi. “Jemi te privilegjuar për besimin që na e ka dhënë Federata Ndërkombëtare e Sportit Universitar. Studentë, ndjehuni krenarë për lojën e shfaqur dhe vlerat që keni treguar” theksoi Ibrahimi.

FISU Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022 u mbyll me fjalimin e z. Gabriel Kotchofa, anëtar i bordit ekzekutiv të FISU. “Jam shumë i lumtur që ju na e keni dhuruar profesionalizmin tuaj si dhuratë, kulturën tuaj sportive, dëshirën për fitore dhe besimin në vetën dhe në kombin tuaj”, theksoi Kotchofa.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe medaljet për femrat:

· Portierja më e mirë: Miriam Rodriguez – Madridejos, UCLM;

· Golashënuesja më e mirë: Elisa Mulaj, UPHP;

· Lojtarja më e mirë e Kupës u shpall Eunbeen JO, KNSU.

Ndërkaq, tek meshkujt:

· Çmimi për portierin më të mirë i është ndarë studentit Arti Luzha nga UP-ja;

· Çmimi për golashënuesin me të mirë e ka fituar studenti Kazım Emre Biçic, nga Universiteti i Gazi-t, Turqi;

· Ndërkaq, lojtari më i mirë e Kupës u shpall studenti i Universitetit të Prishtinës, Drenit Tahirukaj.  

Kupa Botërore Universitare në Hendboll solli në Kosovë 14 ekipe nga universitete të ndryshme botërore. Kjo ngjarje u përkrah nga: Qeveria e Kosovës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Hendbollit e Kosovës.

Kontribut të veçantë në këtë ngjarje dhanë edhe 120 studentët vullnetarë, të cilët u kujdesën që studentët atletë ta shijojnë këtë ngjarje dhe të ndjehen si në shtëpinë e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)