31 Mars 2023

Policia arreston tre persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë

Prishtinë, 15 shtator - Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të parandalimit të aktiviteteve kriminale dhe migrimit ilegal në pikat kufitare, ka hartuar planin operativ “Migrim i parregullt”, referuar të cilit janë shtuar patrullimet dhe vëzhgimet në terren për identifikim dhe arrestim të personave të dyshuar, kryes të veprave penale.

Dje rreth orës 21:20 njësia policore nga policia kufitare Vërmicë - Drejtoria Rajonale Gjakovë, gjatë zbatimit të planit operativ të lartcekur në fshatin Shkozë ka ndaluar dy automjete të dyshuara taksi me targa vendore me drejtues dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, të cilat ishin në lëvizje nga drejtimi Vërmicë – Prizren.

Gjatë kontrollit të realizuar ndaj dy automjeteve janë hasur shtatë viktima shtetas egjiptianë dhe një shtetas palestinez, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në kontrabandimin e tyre.

Me urdhër të prokurorit tre personat e dyshuar, dy meshkuj kosovarë dhe një mashkull palestinez, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa viktimat janë dërguar në njësinë për migrim dhe të huaj për procedurat e mëtutjeshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023 - Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)