22 Mars 2023

FSK mund të kontribuojë për paqen dhe sigurinë edhe në nivel ndërkombëtar

Prishtinë, 27 shtator - Nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, filloi sot Konferenca vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”, e cila do të zgjasë dy ditë.

Në ditën e parë të kësaj Konference morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, Shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral-brigade John B. Bozicevic, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe, zyrtarë dhe oficerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, ambasadorë, atashe të mbrojtjes si dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe ushtarakë të të gjitha shteteve partnere.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Ministri Mehaj theksoi se së bashku me shtetet partnere do të zhvillojmë forcat tona për mbrojtjen e vendit dhe jetësojmë vizionin për anëtarësim në NATO.

“Falënderoj të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët me praninë e tyre në këtë Konferencë dhe me mbështetjen e tyre të pandërprerë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, kanë kontribuar në forcimin e FSK-së, ku si rezultat FSK-ja është në gjendje të japë përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën, duke dëshmuar se mund të kontribuojë për paqen dhe sigurinë edhe në nivel ndërkombëtar”, theksoi Ministri Mehaj duke shprehur gjithashtu falënderim të veçantë SHBA-së dhe aleatëve të tjerë evropianë, për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në forcimin e FSK-së si dhe në procesin e suksesshëm të zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës 10-vjeçar të tranzicionit.

Ndërsa zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, në fjalën e tij u shpreh i bindur se kjo Konferencë ndihmon në ngritjen dhe thellimin e aktiviteteve të ndërsjella dhe në mbështetje të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së.

Me fjalë rasti, të pranishmëve iu drejtuan edhe Shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade John B. Bozicevic, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Konferenca ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022” do të vazhdojë edhe nesër, me sesionet punuese në nivel të takimeve me përfaqësuesit e vendeve partnere veç e veç, për sinkronizim të koncept-planeve për periudhën pasuese një vjeçare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)