29 Prill 2024

Prokuroria heton importin e produkteve mjekësore dhe lëshimin e licencave

Prishtinë, 11 shtator - Prokuroria Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, është duke zhvilluar hetime në lidhje me importin e produkteve mjekësore në Republikën e Kosovës, si dhe lëshimin e licencave dhe pajisjen e këtyre produkteve me banderola nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale.

Ekziston dyshimi i arsyeshëm se zyrtarë nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale e kanë pajisur një kompani farmaciste me banderola për produkte mjekësore edhe pse këto produkte ishin të  importuara pa licencën e AKPM-së, nëpërmes doganës së Republikës së Kosovës. Këto produkte, të importuara në mënyrë të kundërligjshme janë shpërndarë në tregun e Kosovës.

Poashtu, ekziston dyshimi se zyrtarët nga AKPM-ja ia kanë mundësuar edhe një kompanie tjetër farmaceutike prodhimin dhe shpërndarjen në treg të produkteve mjekësore edhe pse e njëjta kompani nuk i ka plotësuar kushtet ligjore dhe nuk ka qenë e pajisur me certifikatë për prodhimin dhe shpërndarjen në treg të produkteve mjekësore.

Në ketë mënyrë këto kompani farmaceutike kanë përfituar shuma të mëdha materiale.

Të dyshuar për këto raste janë 6 zyrtarë të lartë të AKPM-së, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, 4 doganierë nga Dogana e Republikës së Kosovës, të cilët, gjithashtu dyshohen se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, 2 persona përgjegjës nga një kompani farmaceutike, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale Mashtrimi i blerësve nga neni 299 paragrafi 1 i KPK-së,

Si dhe një person përgjegjës nga kompania tjetër farmaceutike, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore nga neni 266 paragrafi 2 i KPK-së.

 Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të dyshuarve t’ua caktoj masën e paraburgimit.