22 Mars 2023

Kryeministri Haradinaj vizitoi Ferronikelin

Drenas, 21 janar - “Investitorët në Kosovë kanë partner, dhe nuk janë vetëm”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që sot i bëri Ndërmarrjes së re Ferronikeli, ku pa nga afër zhvillimet në këtë kompani.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, pasi falënderoi Grupin Balfin për investimin në Ndërmarrjen Ferronikeli, tha se kjo kompani është një prodhues dhe eksportues i madh, si dhe investim me rëndësi për Kosovën.

“Janë disa vështirësi që do t’i kalojmë bashkë. Janë 800 të punësuar të rregullt dhe është interes i yni që vështirësitë që i kemi t’i tejkalojmë bashkë. Njëkohësisht, është interes i yni të përçojmë porosinë që investitorët në Kosovë kanë partner, dhe nuk janë vetëm”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nga Ferronikeli do ta dërgojnë porosinë për të gjithë investitorët e tjerë potencialë që të investojnë në vendin tonë.

Drejtori i Balfin Group, që tash ka në pronësi kompaninë “NewCo Ferronikeli”, Samir Mane, e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme, ku e njoftuan nga afër me ambientin, prodhimin në Ferronikel, si një nga fabrikat më të rëndësishme për Kosovën, po ashtu edhe për ecurinë e këtyre muajve prej se e kanë marrë fabrikën në pronësi.

“Po ashtu diskutuam edhe planet për të ardhmen për një bashkëpunim më të madh si me qeverinë lokale por edhe atë qendrore”, tha z. Mane.

Më pas kryeministri i Haradinaj i shoqëruar nga Presidenti i Grupit  Balfin, Samir Mane, dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vizitoi departamentin e prodhimit ku pa nga afër procesin e prodhimit dhe nga përfaqësuesit u njoftua me procesin e punës dhe përpunimit të metalit në këtë fabrikë.
 
Kryeministri Haradinaj, po ashtu ka vizituar edhe mensën e Ferronikelit, ku ka drekuar bashkë me punëtorët e kësaj fabrike.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)