29 Mars 2024

Priten të hetohen keqpërdorimet brenda qeverisë

Prishtinë, 12 mars - Auditori i Përgjithshëm pritet të hetojë edhe keqpërdorimet e mundshme nga ana e individëve brenda qeverisë. Auditori Larse Lage Olofsson tha për emisionin Lex të Radio Kosovës (RTK) se raste e tilla janë çështje e gjykatave, por ai thotë se auditori ka të drejtë ligjore që të iniciojë hetime përkatëse.

Deklarimet e ditëve të fundit për keqpërdorimin e parasë publike nga anëtarë të qeverisë së Kosovës do të shërbejnë edhe si pistë hetimi për auditorin e përgjithshëm. Auditori Larse Lage Olofsson nuk e përjashton mundësinë e keqpërdorimeve të parasë publike nga ana e autoriteteve të qeverisë, por thotë se me këtë çështje duhet të merren gjykatat. Olofsson tha për emisionin LEX të Radio Kosovës se është e drejtë ligjore e auditorit të përgjithshëm të fillojë hetime sa herë që ka dyshime për keqpërdorimin e parasë publike.

“Po ligjërisht ne kemi të drejtë të hetojmë atë që mendojmë se duhet të hetohet. Dhe kjo është bazë e auditimit tonë.
Një gjë e rëndësishme që duhet të them është se sa i përket hetimit financiar duhet të hetojmë më mire. Mendoj se në të ardhmen duhet të kemi një qasje më të thellë rreth efektivitetit të autoriteteve që janë përgjegjëse për këtë çështje, apo sistemi që do të luftojë keqpërdorimet e mundshme. Por këtë duhet ta bëjmë hap pas hapi”, tha Olofsson.

Olofsson thotë se kanë krijuar disa masa se si duhet të trajtojnë rastet e tilla keqpërdorimit të parasë publike dhe pastaj t’i adresojnë ato tek autoritetet përkatëse. Në këto raste mund të merren edhe masat preventive.

“Në qoftë se kjo ekziston që dikush në qeveri bën keqpërdorime, atëherë kjo për ne është çështje shumë e rëndësishme, sepse tani është koha kur po bëjmë auditimin e organizatave buxhetore dhe mund të punojmë në drejtimin e parandalimit të keqpërdoprimit të shfrytëzimit të parave të taksapaguesve. Ne jemi duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet që janë të përfshira në ndërtimin e një sistemi për kontrollin e brendshëm brenda qeverisë”, tha Olofsson.

Auditori gjeneral thotë se mënyra e hetimit të shpenzimeve të parasë publike është organizuar në disa plane.

“Kjo është adresuar në disa plane dhe ne duhet të përcjellim zbatimin e këtyre planeve. Dua të them se është e rëndësishme të kujtojmë se në kohën kur bëjmë auditimet, ky është një profesion specifik, një mandat specifik dhe një objekt specifik. Ne nuk jemi inspektorë financiarë për të hulumtuar më thellë në ato dyshimet e mashtrimeve. Por si auditor kemi të drejtë të gjurmojmë aty ku ka dyshime për keqpërdorime apo korrupsion”, tha Olofsson.

Z. Olofsson i bën këto deklarime në fazën e përgatitjeve të raporteve të auditorit të përgjithshëm për vitin 2009, për të gjitha organizata buxhetore, të cilat do të publikohen në fund të muajt qershor. Ndërsa raporti përmbledhës i auditorit të përgjithshëm do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës deri në fund të muajt gusht të këtij viti. Nga ana tjetër Kuvendi i Kosovës ka iniciuar auditimin edhe të Auditorit të Përgjithshëm, që deri më tash nuk është bërë asnjëherë. Kontrollin financiar të auditorit të përgjithshëm do ta bëjë një auditor i jashtëm, që do të caktohet nga komisioni për mbikëqyrjen e financave publike të Kuvendit të Kosovës.

/rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)