Ministri Zharku priti ambasadorin grek

Prishtinë, 21 prill - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku , dje priti në takim ambasadorin e Greqisë në Prishtinë, z.Dimitris. A. Moschopoulos, me të cilën biseduan rreth formave të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik në mes Kosovës dhe Greqisë.
Ministri Zharku, e njoftoi ambasadorin Moschopoulos rreth përpjekjeve të vazhdueshme që janë duke bërë institucionet e Kosovës.
"Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke bërë përpjekje për joshjen e investitorëve të jashtëm për të investuar në Kosovë, duke prezantuar kushtet e favorshme që ofron vendi ynë, në sfera të ndryshme me interes ekonomik, si dhe një varg lehtësirash administrative për zhvillimin e afarizmit.
Këto janë disa nga nismat që janë ndërmarrë për ngritjen dhe zhvillimin e afarizmit në Kosovë, të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e klimës investive dhe në ngritjen e imazhit të përgjithshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare.", theksoi ministri Zharku
Bashkëpunimi institucional dhe ekonomik në mes Kosovës dhe Greqisë do të jetë në nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen, u potencua nga të dy bashkëbiseduesit.