31 Mars 2023

Marnhac, çështje kryesore e EULEX-it lufta kundër korrupsionit

Prishtinë, 25 nëntor - Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi priti sot në një takim pune shefin e ri të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, Xavier Bout De Marnhac.

Në këtë takim kryeprokurori Kabashi e njoftoi shefin e EULEX-it z. de Marnhac për prioritetet e tij si kryeprokuror i Shtetit, për punën e prokurorive publike të Republikës së Kosovës, për problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët vendës, si dhe për përfundimin e fazës së emërimit dhe riemërimit të prokurorëve, për këtë vit.

Kryeprokurori Kabashi edhe gjatë këtij takimi çmoi bashkëpunimin e ngushtë që kanë prokurorët vendës me prokurorët e EULEX-it.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it, Xavier Bout De Marnhac, theksoi se çështje kryesore për të do të jetë rivendosja e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës, si dhe vazhdimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe shprehu mbështetje të plotë për prokuroritë e Kosovës.

“Unë plotësisht e mbështes dhe e vlerësoj lartë bashkëpunimin në mes të prokurorëve të Kosovës dhe të EULEX-it në trajtimin e rasteve të shumta”, tha de Marnhac.

Të dyja palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin e tyre për të siguruar rend dhe sundim të ligjit në Republikën e Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 mars 2023 - Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të masakrës së Burimit, Komuna e Malishevës organizon akademi përkujtimore. (Salla e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë me ç’rast do të prezantohen gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga gjykatat e Kosovës për vitin 2022, si dhe në bazë të këtyre gjetjeve do të ndahet “Çmimi për Gjykatën më Transparente” - për dedikim të vazhdueshëm në ngritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore. (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Kryetari I Federatës Sindikale te Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me protestën dhe grevën e punëtorëve teknik të këtij spitali që veq ka filluar para dy ditësh. (Spitali Isa Grezda në Gjakovë, ora 11:00)

- Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskuton lidhur me kërkesën për zhvillim të diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi përkujtimor me rastin e 24-vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit. (Kompleksi i Martirëve, Pastasel, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bën homazhe në varrezat e martirëve në fshatin Dragobil dhe të Kompleksi në vendin e ngjarjes Vrella e Mëhillit. (Fshati Burim, ora 12:00)

- Komuna e Prishtinës përuron hapësirën e dedikuar për sigurinë e nxënësve dhe komunitetin në hapësirat përreth Shkollës Fillore “Elena Gjika”. (Afër shkollës, ora 13:00)

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon Asamblenë e Punës për vitin 2022. (Hotel Emerald, ora 17:00)