18 Prill 2024

Manipulimi i llogarive të shteteve nga ndihma e bankave

SHBA, 19 shkurt - Disa javë më parë, një delegacion i veçantë u vu re nga publiku ndërsa vizitonte lagjen financiare të Athinës. Bankierë nga “Goldman Sachs” po shoqëronin një skuadër njerëzish të fuqishëm, mes të cilëve qe edhe superinvestitori John Paulson, një menaxher asetesh nga Shtetet e Bashkuara.

Bankat e investimeve të tilla si “Goldman” zakonisht shoqërojnë klientët e vet nga fondet e menaxhimit të aseteve në udhëtimet për mbledhjen e të dhënave statistikore. Por grupi “Paulson” është i veçantë, për shkak se gjatë dy viteve të fundit ka realizuar fitime të stërmëdha, duke vënë bast mbi asetet e vendeve në vështirësi. Për më tepër, për shkak të klimës së tensionuar financiare në Athinë, kjo vizitë solli një valë të gjerë thashethemesh në shumë kryeqytete europiane.

“Shumë njerëz po vrasin mendjen se çfarë po bënin bankierët amerikanë në një kohë të tillë në Athinë”, thotë drejtori i një banke të madhe europiane. Ndërsa kriza e financave publike greke u thellua gjatë javëve të fundit, zyrtarë grekë apo të Bashkimit Europian kanë treguar shenja nervozizmi apo zemëratë të hapur mbi rolin që kanë luajtur bankat perëndimore në krizën greke.

Zemërata është shkaktuar pjesërisht nga perceptimi që Europa ka mbi bankierët amerikanë, të cilët akuzohen shpesh se po vendosin baste kundër euros, apo se po synojnë të rrisin fitimet e veta nga vendet e vogla si Greqia, përmes përdorimit të instrumenteve financiare gjysmë mashtruese. Por zemërimi vjen gjithashtu edhe nga roli që titanët si “Goldman” kanë luajtur në përpjekjet e Greqisë e vendeve të tjera për fshehjen e të dhënave reale mbi borxhet publike përgjatë gjithë dekadës së fundit.

Skemat e manipulimit, megjithëse mbajnë emra të pakuptueshëm, janë në thelb të thjeshta. Njëra prej tyre quhet “sekurizim i të ardhurave”. Kjo do të thotë se qeveria shet në treg ndërkombëtar të ardhurat e parashikuara nga një taksë apo nga një monopol publik. Në të vërtetë ky është një borxh që merret përkundrejt një pengu. Por në librat e qeverisë nuk klasifikohet si borxh.

Në këtë mënyrë, disa qeveri rajonale italiane shitën të ardhurat që pritej të krijoheshin në të ardhme nga agjencia e menaxhimit të pronave publike. Belgjika shiti një produkt financiar që garantohej nga të ardhurat nga taksat që nuk qenë paguar, por që do të paguhen në dekadën e ardhshme.

Greqia shiti të ardhurat që do të krijohen në të ardhmen nga tarifat aeroportuale të vendit, si dhe të ardhurat nga monopoli në llogarinë kombëtare. Njerëzit që i ndihmuan të krijonin këto produkte financiare, jetojnë në Nju Jork. Punojnë në Wall Street. Janë superbankierë.

Skema të tilla u kanë lejuar qeverive të fusin në arkë të ardhurat që mund t’u vijnë në të ardhmen, por këto para janë shpenzuar ndërkohë, ndërsa borxhet rezultojnë realisht më të larta nga sa duhej të ishin. Italia ka qenë prej kohësh një nga “sekurizuesit” më entuziastë në Europë.

Ky vend duket se ka shitur në bursë përkundrejt parasë kesh, të ardhurat e së ardhmes nga pronat publike, si dhe në një rast tentoi të shesë edhe të ardhurat e sigurimeve shoqërore publike, sigurimeve shëndetësore apo biletave të lotarive.

Bankat që e ndihmuan në një proces të tillë qenë “USB” dhe ish-“Lehman Brothers”. Belgjika në një rast shiti në bursë portofolin e vet të taksave të pambledhura apo të prapambetura. Në këtë rast, investitorët vunë bast mbi faktin nëse inspektorët tatimorë belgë do ta bënin apo jo punën e vet.

Shumë bankierë këmbëngulin se marrëveshje të tilla mbartin vlerë reale. Sipas tyre, në fund të fundit, investitorët i analizojnë me hollësi bondet që blejnë dhe agjencitë që i vlerësojnë ato ushtrojnë presion mbi emetuesit. Në fund të fundit, taksambledhësit e Belgjikës do të kenë presionin më të madh të mundshëm për mbledhjen e taksave të papaguara pasi investitorët e bondit të taksave të pambledhura do të kërkojnë paratë e veta.

Pavarësisht justifikimeve, një gjë është e qartë: shumë shtete europiane kanë jetuar gjatë viteve të fundit duke marrë hua kohë, në kuptimin që kanë arkëtuar para të thata bazuar në taksat që do të duhet të mbledhin në të ardhmen. Por në fund të fundit, të gjitha këto bonde janë detyrime dhe duket se politikëbërësit kanë besuar se ndonjë magji do t’i zhdukë këto detyrime në të ardhmen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)