24 Mars 2023

Legjislacioni mbi financimin politik ende me mangësi dhe sfida në zbatim

Prishtinë, 15 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi sot tryezën e diskutimit mbi situatën lidhur me financimin e subjekteve politike në Kosovë, pas ndryshimeve të fundit ligjore në këtë fushë.

Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, fillimisht falënderoi Republikën Çeke për mbështetjen e Kosovës në të gjitha dimensionet, e në veçanti lidhur me përpjekjet për avancimin e transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike.

Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek, vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes institucioneve dhe organizatave jo-qeveritare të Kosovës dhe atyre të Republikës Çeke, duke theksuar që ky bashkëpunim ka mundësuar kryerjen e kontrollit financiar të subjekteve politike në përputhje me standardet Evropiane.

Kreshnik Radoniqi, kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, theksoi që transparenca financiare e partive politike është e domosdoshme për të siguruar besueshmëri te qytetarët për partitë politike, por edhe për të garantuar llogaridhënie te qytetarët për paratë që këto parti politike marrin nga buxheti i shtetit apo edhe nga donatorë të tjerë.

Për më shumë, ai paraqiti veprimet e ndërmarra nga KQZ-ja, me të cilat i është kontribuar transparencës.

Në anën tjetër, Ondřej Kopečný, drejtor ekzekutiv i Transparency International në Republikën Çeke, theksoi që miratimi i ligjit përbën vetëm zhvillimin e parë para fillimit të vështirësive në zbatim praktik të tij. Ai nënvizoi nevojën që Zyra të ketë udhëheqje profesionale dhe të pavarur.

Gjatë diskutimit, KDI prezantoi edhe punimin “Financimi Politik në Kosovë: Çka pas ndryshimeve të fundit ligjore?!”.

Eugen Cakolli, autor i këtij punimi, theksoi që përmbyllja e sagës së plotësim-ndryshimit të legjislacionit mbi financimin politik në Kosovë, përbën zhvillim pozitiv dhe progres drejt transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike."

"Sidoqoftë, sipas tij, jashtë gamës dhe rregullimit ligjor ende kanë mbetur disa çështje akute dhe problematike, siç janë financat e kandidatëve të subjekteve politike, shpenzimet për fushatat elektorale 'online', si dhe fushatat nga palët e treta. Për më tepër, zbatueshmëria e këtij ligji në praktikë do të testohet vetëm pasi të jetë konsoliduar dhe funksionalizuar Zyra që do të bëjë kontrollin e financave të subjekteve politike.

Në fund, u rekomandua që, mes tjerash, çështjet e mbetura lidhur me financimin e subjekteve politike të përfshihen në procesin aktual të reformës zgjedhore; që subjektet politike të kenë xhirollogari plotësisht transparente; si dhe që të kategorizohen gjobat ndaj subjekteve politike.

Të pranishmit tjerë theksuan që pavarësisht sfidave, ligji si i tillë shënon përmirësime substanciale. Po ashtu, u ngritën për diskutim çështja e marketingut politik nëpër media, kostos dhe efektit të saj në raport me financimin e subjekteve politike, si dhe nevoja për harmonizimin e këtij ligji me ligjet tjera sektoriale.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 mars 2023

- Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nënshkruajnë marrëveshjen financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2022. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)   

-  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim;  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës viziton shkollën fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri. (Shkolla “Naim Frashëri” në Vushtrri, ora 10:00)

- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Fshati Gllogjan, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s. Merr pjesë dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Gllogjan, ora 12:00)

- Pas qëndrimit 3 ditor në protestë punëtorët teknik të 10 shkollave të komunës së Prishtinës takohe me kryetarin të Shoqatave Sindikale për veprimet e mëtutjeshme sindikale. (Selia e Federatës se Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ora 12:30)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere diskuton rreth situatës në Trustin Pensional ku të ftuar janë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti; Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca; ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora  13:30)

- PSD do të mbajë konferencë për media ku do të flas kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, rreth protestës të së shtunës. (Zyrët qendrore të PSD-së, ora 15:00)

- Për nder të 24 marsit, Ditës së Bombardimeve ndaj forcave serbe, Rrjeti i OJQ-ve "AVONET" organizon "Kafen e Miqësisë dhe Falenderimeve". (Lokali “Mom Ami” në “The Village&Shopping&Fun” Ferizaj, ora 19:30)