24 Mars 2023

Kryeministri Kurti bisedon për zhvillimin ekonomik me Odën Amerikane

Prishtinë, 17 tetor - Fuqizimi i sektorit privat, promovimi i potencialeve për investime dhe i eksporteve të Kosovës, por edhe avancimi i dialogut publiko-privat ishin në thelb të diskutimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, me lidershipin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në takim me Bordin e Guvernatorëve të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi rolin e rëndësishëm që ka sektori privat edhe në krijim të vendeve të punës por edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.

Ai lavdëroi sektorin privat për qëndrueshmërinë përgjatë viteve pavarësisht konkurrencës së madhe rajonale e globale, por edhe mungesës së përkrahjes së shtetit në të kaluarën.

Ai tha se fokusi i ardhshëm duhet të jetë në fuqizimin e diplomacisë ekonomike por edhe kapaciteteve institucionale për promovim të investimeve të huaja.

Kryeministri shprehu qartazi vullnetin e tij të mirë për dialogim të mirëfilltë me sektorin privat në Kosovë, për të mundësuar, mes tjerash një mjedis për zhvillim të qëndrueshëm dhe të hovshëm ekonomik.

Presidentja e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane Afrore Rudi ofroi partneritetin e sinqertë të Odës Amerikane për ofrim të rekomandimeve për sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat.

Ajo sqaroi se Oda Amerikane i organizon përpjekjet e saj avokuese përmes të gjashtëmbëdhjetë komiteteve që funksionojnë në kuadër të Odës Amerikane ku gërshetohet edhe ekspertiza e industrive të ndryshme që përfaqësohen në Odën Amerikane.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka prezantoi prioritetet e reja avokuese të organizatës, duke përfshirë kërkesën për një mekanizëm të centralizuar për dialogim publiko-privat që do të funksiononte në kuadër të zyrës së kryeministrit, e përmes të cilit odat ekonomike do të mund të adresonin shqetësimet e ndërmarrjeve të sektorit privat.

Oda Amerikane propozon edhe strukturimin e Agjencisë për Promovim të Investimeve dhe Ndërmarrjeve të Kosovës ose ndonjë trupi tjetër të ri për promovim të investimeve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të shërbente edhe si portë e vetme për komunikim me investitorët. Zeka në fund tha se Oda Amerikane do të ofrojë përkrahjen e saj për fuqizimin e kapaciteteve të diplomacisë ekonomike të Kosovës.

Në takimin në të cilin morën pjesë edhe Luan Dalipi, Shef i Stafit të Kryeministrit, si dhe Lulëzon Jagxhiu, Këshilltar për Teknologji të Informacionit, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane dhanë edhe rekomandime të tjera për aspekte specifike të të bërit biznes në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 mars 2023

- Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nënshkruajnë marrëveshjen financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2022. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)   

-  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme dhe Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim;  (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Në kuadër të Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës viziton shkollën fillore “Naim Frashëri” në Vushtrri. (Shkolla “Naim Frashëri” në Vushtrri, ora 10:00)

- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Fshati Gllogjan, ora 11:00)

- Mbahet manifestimi qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit dhe 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s. Merr pjesë dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Gllogjan, ora 12:00)

- Pas qëndrimit 3 ditor në protestë punëtorët teknik të 10 shkollave të komunës së Prishtinës takohe me kryetarin të Shoqatave Sindikale për veprimet e mëtutjeshme sindikale. (Selia e Federatës se Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, ora 12:30)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere diskuton rreth situatës në Trustin Pensional ku të ftuar janë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti; Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca; ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli. (Kuvendi i Kosovës, C203, ora  13:30)

- PSD do të mbajë konferencë për media ku do të flas kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, rreth protestës të së shtunës. (Zyrët qendrore të PSD-së, ora 15:00)

- Për nder të 24 marsit, Ditës së Bombardimeve ndaj forcave serbe, Rrjeti i OJQ-ve "AVONET" organizon "Kafen e Miqësisë dhe Falenderimeve". (Lokali “Mom Ami” në “The Village&Shopping&Fun” Ferizaj, ora 19:30)