Mbahet takimi i gjashtë i nën-komitetit të MSA-së për bujqësinë
Prishtinë, 13 maj - Përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisioni Evropian u takuan në mënyrë virtuale për të diskutuar zhvillimet në fushat e bujqësisë, produkteve të përpunuara bujqësore, zhvillimit rural, peshkimit, sigurisë ushqimore, si dhe në çështjet veterinare dhe fitosanitare.
Diskutimi u mbajt në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill të vitit 2016.
Diskutimi mbuloi një gamë të gjerë temash, të cilat përfshijnë zhvillimet e politikave, legjislacionit dhe zbatimit në bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë, forcimin e kontrolleve të importeve për ushqime dhe kafshë, sistematizimin e futjes së të dhënave në bazën e të dhënave për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve, përdorimin e tokës dhe konsolidimin e tokës, statistikat e importeve dhe eksporteve bujqësore, bujqësinë organike, si dhe performancën e institucioneve përgjegjëse për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore.