29 Maj 2023

Komuna e Mitrovicës subvencionon 150 fermerë me pleh artificial

Mitrovicë, 24 maj - Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, në kuadër të projekteve për mbështetje të fermerëve, gjatë ditës së sotme ka nënshkruar kontratat me 150 fermerët përfitues të cilët janë subvencionuar me 30 mijë kg pleh artificial dhe me dy lloje të plehrave.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave i pranishëm ishte drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ferdi Kadriu, i cili me një fjalë rasti iu është drejtuar të gjithë fermerëve të pranishëm.

“Në emër të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, me lejoni që të përgëzoj të gjithë fermerët përfitues, duke iu dëshiruar berqet e punë të mbarë. Shpresoj se kjo mbështetje dhe subvencionet e radhës të cilat do të realizohen në të mirë të fermerëve të Mitrovicës do të mundësojnë që të kemi shumëllojshmëri të prodhimeve dhe rritje të rendimenteve bujqësore”, ka thënë Kadriu.

Ndërsa, fermerët përfitues pas nënshkrimit të kontratave dhe pranimit të subvencioneve falënderuan komunën për mbështetjen e dhënë dhe interesimin e treguar në përkrahje të sektorit të bujqësisë. /rtk/

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 maj 2023

- Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën Viola Von Cramon - Taubadel do të mbajë një konferencë për shtyp. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë përballë Zyrës së BE-së, ora 11:30)
 
- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:30)

- Koncerti i radhës, bashkëpunim i Chopin PianoFEST Prishtina me Filharmonine e Kosovës, sjell në skenë 2 artistë të shquar  nga Mbreteria e Bashkuar Peter Donohoe, doajenin e pianos dhe dirigjentin Robert Guy, për të performuar së bashku me Filharmoninë e Kosovës Koncertin nr.3 të S. Rachmaninof, me rastin e 150 vjetorit të këtij kompozitori gjenial të epokës së romantizmit. (KlanArena, ora 20:00)