20 Mars 2023

Vuçiç: KFOR-i i tha jo kërkesës për kthimin e forcave serbe në Kosovë

Beograd, 8 janar - Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të dielën se forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, refuzuan kërkesën e tij për kthimin e rreth një mijë trupave të forcave serbe të sigurisë në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për televizionin proqeveritar “TV Pink”, në Beograd dy ditë pasi KFOR-i u dorëzoi autoriteteve serbe përgjigjen në kërkesën e tyre të mesit të dhjetorit.

KFOR-i tha Zërit të Amerikës se përgjigja është dorëzuar por “nuk hyjmë në hollësitë e korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet syçelë dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të dhënë nga OKB-ja”, thuhet në përgjigje.

Presidenti serb tha ndërkaq të dielën se ‘në letrën e tyre të hartuar me kujdes drejtuar qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë që nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244 (të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Beogradi i referohet Rezolutës 1244 të vitit 1999 në të cilën parashihej kthimi i një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Kosova në atë kohë cilësohej pjesë e asaj që kishte mbetur nga ish Jugosllavia. Nëntë vjet pas miratimit të Rezolutës 1244, Kosova shpalli pavarësinë e saj që njihet nga vendet kryesore perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

Kërkesa serbe u bë mes tensionesh në veriun e Kosovës, ku për rreth tri javë ne radhë grupe qytetarësh serbë mbajtën të të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Bllokadat u larguan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie.

Presidenti serb tha se në Beograd po diskutohet nëse duhet që për këtë çështje të kërkohet diskutim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por nënvizoi që nëse ndodhë kjo Serbia do të mbështetej nga Rusia, por rezultati do të ishte konfirmimi i vendimit të KFOR-it.

“Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, ta lëmë (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurti, të komentojë se si e refuzoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së?”, tha ai, duke ju referuar kërkesës së vitit 2010 për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë lidhur me pavarësinë e Kosovës e cila shpalli se ajo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Presidenti serb tha se para Serbisë ndodhet “periudhë e vështirë”, ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për krijimin një atmosfere të rëndë në Kosovë si pasojë e së cilës tha ai “ndodhi edhe plagosja e dy të rinjve serbë” në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore.

Ai tha se Serbia do të vazhdojë të luftojë për sigurinë e serbëve në Kosovë, ndonëse në rrethana të vështira dhe nën trysni për Kosovën dhe për t;i vënë sanksione Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë.

Ai tha se të enjten do ta ketë një takim të rëndësishëm me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili do të qëndrojë edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vizita e tij në këto tri vende nga 11 deri më 13 janar, sipas Departamentit amerikan të Shtetit synon që të “nënvizojë përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj paqes, qëndrueshmërisë dhe përparimit të Ballkanit Perëndimor”.

Në dhjetor zoti Chollet anuloi një vizitë në disa vende të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv në testin për COVID-19.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 mars 2023 - Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon konferencën “Konventa e Stambollit: Forcimi i zbatimit në përfundimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Shoqata e Bankave të Kosovës organzon shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë. (Shkolla "Elena Gjika" në Prishtinë, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e parë për prezantimin e monitorimit të Strategjisë së Ujërave për Kosovën 2017-2036 dhe prezantimin e propozimit të Politikave për Menaxhimin e Territorit Rreth Resurseve Ujore në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse do të mbajë konferenca për media në nismë të grumbullimit për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2024 kundër Izraelit dhe Andorrës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

- Shoqata 'Flaka e Llapit' mbajnë konferencë akademi përkujtimore me rastin e trevjetorit të ndarjes nga jeta të Rifat Blakut. (Salla e teatrit 'Avdush Hasnai' në Podujevë, ora 13:30)

- Kombëtarja e Kosovës fillon edhe përgatitjet për këto dy ndeshje. (Kampi Nacional në Hajvali, ora 16:00)

- Në kuadërt të edicionit XXIII i Javës së Frankofonisë në Kosovë organzohet aktiviteti 'Street Art, Balkan Trafic', krijim nga dy artistë franko-belgë. (Rr. Sylejman Vokshi, 66 në Prishtinë, ora 16:30)