29 Mars 2023

Udhëheqësit e G7 paralajmërojnë Rusinë për armët bërthamore

Bruksel, 24 mars - Në një deklaratë të përbashkët këtë të enjte, udhëheqësit e G7 paralajmëruan Rusinë kundër përdorimit të armëve kimike, biologjike ose bërthamore në pushtimin e Ukrainës.

“Ne paralajmërojmë kundër çdo kërcënimi të përdorimit të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore ose materialeve të ngjashme,” shkruajtën liderët pas takimit në Bruksel.

Po ashtu, ata denoncuan përpjekjet për dezinformim të Rusisë, por jo vetëm.

“Ne denoncojmë kategorikisht fushatën keqdashëse dhe plotësisht të pabazë të dezinformimit të Rusisë kundër Ukrainës, një shtet në përputhje të plotë me marrëveshjet ndërkombëtare të mospërhapjes. Ne shprehim shqetësimin për vendet dhe aktorët e tjerë që kanë përforcuar fushatën e dezinformimit të Rusisë“, shkruajnë udhëheqësit.

Pa përmendur në mënyrë specifike Kinën, udhëheqësit përmendën iniciativën e vendeve që duan të ndihmojnë Rusinë.

“Ne jemi të shqetësuar nga përshkallëzimi dhe përforcimi i represionit kundër popullit rus dhe retorika gjithnjë e më armiqësore e udhëheqjes ruse, përfshirë kundër qytetarëve të zakonshëm.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 mars 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë diskuton rreth çështjeve vijuese nga fushëveprimi i Komisionit. (Kuvendi, salla N302, ora 10:00)

- Qendra e Kosovës për Eksport organizon ngjarjen “Rritja e eksportit përmes platformës KoEx”. (Hotel Sirius, ora  10:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive. (Kuvendi, salla N10, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Prokurorin e Shtetit si dhe ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. (Kuvendi, salla N303, ora 11:00)

- Promovohet romani “Duke ndjekur fluturat” i autores Hana Hoxha, i cili ka si fabulë edukimin e nxënësve/fëmijëve për rolin e policisë në sigurinë e tyre. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)

- Bëhet inaugurimi i punëtorisë së Floktarisë në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, e cila do të shërbejë për zbatimin e mësimit dual ku merr pjesë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. (Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë, ora 13:00)