28 Mars 2024

Presidentja Osmani kërkon nga Lituania mbështetje për anëtarësim në KE

Prishtinë, 12 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Lituani, sot është pritur në takim nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė.

Të dy bashkëbisedueset kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore, dhe kanë konfirmuar angazhimin për thellimin e tyre, posaçërisht në fushën e sigurisë,  mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Presidentja Osmani ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit me aleatët  mbetet prioritet kyç i politikës së jashtme të Kosovës.

“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO. Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë.”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Temë e takimit ndërmjet Presidentes Osmani dhe kryeministres Šimonytė ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar mbështetjen e Kosovës ndaj popullit ukrainas.

“Pozicioni i Kosovës për Ukrainën  është plotësisht në përputhje me SHBA-në, BE-në dhe të gjitha vendet demokratike. Kosova ka miratuar sanksionet kundër Rusisë dhe është duke ofruar gjithë mbështetjen e mundshme për popullin e Ukrainës”, ka theksuar Presidentja Osmani.

 Ajo poashtu ka përmendur tendencat e Rusisë që nëpërmjet satelitit të saj, Serbisë ta destabilizojë Ballkanin.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga kryeministrja Šimonytė mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e në veçanti në Këshillin e Evropës, e poashtu mbështetje në bindjen e shteteve skeptike për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që vazhdimisht është përkrahur nga Lituania.

 


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)