22 Mars 2023

Inteligjenca amerikane: Rusia ka mbetur ngërç

Washington, 11 maj - Inteligjenca amerikane ka paralajmëruar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainë.

Ky paralajmërim vjen teksa luftimet e ashpra vazhdojnë në lindje, aty ku forcat ruse po përpiqen të marrin territorin.

Mediat e huaja shkruajnë se Moska i rifokusoi trupat e saj në pushtimin e rajonit të Donbasit pasi Ukraina i rezistoi përpjekjeve për të marrë kryeqytetin e saj Kiev. Por pavarësisht kësaj, forcat e saj mbeten në një ngërç, tha inteligjenca amerikane.

Drejtori i inteligjencës kombëtare, Avril Haines, është shprehur në një seancë dëgjimore të komisionit të Senatit në SHBA se Putin ishte ende duke synuar “të arrinte qëllime përtej Donbasit”, por se ai “përballet me një mospërputhje midis ambicieve të tij dhe aftësive aktuale ushtarake të Rusisë”.

Ajo shtoi se presidenti rus “ndoshta” ishte duke llogaritur në mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së që Ukraina të dobësohej pasi inflacioni, mungesa e ushqimit dhe çmimet e energjisë u përkeqësuan.

Por, Vladimir Putin mund të kthehet në “mjete më drastike” ndërsa lufta vazhdon – megjithëse Moska do të përdorë armë bërthamore vetëm nëse Putin percepton një “kërcënim ekzistencial” për Rusinë.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes Scott Berrier tha në të njëjtën seancë se rusët dhe ukrainasit ishin “në një ngërç”.

Në luftimet e fundit, Ukraina pretendon se ka rimarrë katër vendbanime në rajonin verilindor të Kharkiv. Cherkasy Tyshky, Ruski Tyshky, Rubizhne dhe Bayrak u rrëmbyen të gjithë nga Rusia, thanë forcat e armatimit të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se sukseset ukrainase po i shtynin gradualisht forcat ruse nga Kharkiv, i cili është bombarduar që nga fillimi i luftës.

Por ai tha se ukrainasit “nuk duhet të krijojnë një atmosferë presioni të tepruar moral, ku priten fitore javore dhe madje ditore”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)