29 Mars 2024

Viti shkollor fillon më 1 shtator me prezencë fizike në shkolla

Prishtinë, 25 gusht - Për të diskutuar për përgatitjet që janë bërë për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022, sot është mbajtur takimi i Kolegjiumit për Arsim të Asociacionit të Komunave të Kosovës me Drejtorët Komunal të Arsimit, e ku ka marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në këtë takim, u konkludua se janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana e Komunave të Kosovës dhe Ministrisë në mënyrë që viti i ri shkollor të fillojë më 1 shtator me prezencë fizike në shkollë.

Ministrja Nagavci theksoi se MSh dhe IKShPK rekomandojnë që ky vit shkollor të fillojë me prezencë fizike në shkollë. Ajo i informoi Drejtorët Komunalë të Arsimit për përgatitjet që janë bërë nga ana e Ministrisë për fillimin e vitit shkollor.

Ndër të tjera, Ministrja theksoi se tashmë ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore dhe shumë shpejt DKA-të do të kenë edhe protokolet dhe Udhëzuesin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ministrja falënderoi drejtorët komunalë, por edhe të gjithë akterët e tjerë që menaxhojnë me situatën pandemike, për punën që kanë bërë deri më tani. Por, ajo theksoi nevojën e bashkëpunimit edhe më të shtuar për fillim të këtij viti shkollor, duke pasur parasysh situatën pandemike në vend.

Ministrja Nagavci, po ashtu, iu bëri thirrje edhe mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, që të kujdesen maksimalisht, duke zbatuar masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKShPK.

Drejtori Ekzekutiv i Asosiacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Kolegjiumit për Arsim, Besim Avdimetaj theksuan se është lajm i mirë fillimi i vitit shkollor me prezencë në shkollë.

Ndërsa, Drejtorët e DKA-ve thanë se shkollat janë përgatitur për fillim të vitit shkollor, ndërsa sipas statistikave që ata paraqitën, mesatarja e personelit arsimor të vaksinuar me njërën dhe me të dy dozat e vaksinës është rreth 70 përqind deri më tani.

Drejtorët e DKA-ve, po ashtu kanë paraqitur disa vështirësi rreth çështjes së rekrutimit të stafit, si dhe vështirësitë që po krijojnë obligimet që dalin nga Kontrata Kolektive.

Ky takim, është zhvilluar, pas takimit që ka pasur sot ministrja Nagavci me përfaqësues të MSh-së, IKShPK-së dhe UNICEF-it, ku është biseduar rreth masave kundër pandemisë që duhet të zbatohen në shkolla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)